Edhe këtë vit po vazhdon projekti i FFK-së, i përkrahur nga programi UEFA HatTrick, ”Girls just want to play football” (Vajzat duan vetëm të luajnë futboll).
Këtë fundjavë ky projekt u zhvillua në komunën e Vitisë, ku morën pjesë 15 shkolla fillore, ku janë përfshirë mbi 150 vajza të reja.
Shoqata e Pedagogëve të Kulturës Fizike bashkë me profesorët e Kulturës Fizike kishin bërë përgatitjet jashtëzakonisht të mira, ku çdo gjë funksiononte në mënyrë të mirë.
Para fillimit të garave të pranishmit në emër të FFK-së i përshëndeti anëtarja e KE, njëherësh kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave, Vjollca Krasniqi, e cila mes tjerash tha: ”Ky projekt që ka nisur vitin e kaluar në 7 komuna është një nga prioritetet e Strategjisë Zhvillimore të FFK-së, prandaj këtë vit do ta shtrijmë aktivitetin edhe në 6 komuna. Komuna e juaj është përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij projekti, i cili mbështet edhe nga UEFA. Ju keni mundësi ta shfaqeni talentin tuaj dhe dashurinë ndaj futbollit, ndaj shumë nga ju në të ardhmen mund t’i mbroni ngjyrat e Kosovës dhe të bëni karrierë të bujshme. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që ta përkrahim futbollin e femrave”.
Në ditën e parë u zhvilluan 7 ndeshje, ku vajzat shkollare treguan, jo vetëm futboll cilësor, por edhe frymë sportive e entuziazëm dhe dashuri ndaj lojës më masovike në botë. Ndërkaq në ditë e dytë u zhvilluan ndeshjet gjysmëfinale dhe finale.
Në ndeshjen finale vajzat e SHFMU ”Nijazi Rexhepi” nga Sllatina triumfuan ndaj vajzave të SHFMU ”Dëshmorët e 5 Prillit” nga Smira, me rezultat 2:1.
Pjesën finale të gave nga afër e ndoqi edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokoli Haliti si dhe rekordmeni i goditjeve të topit me kokë Agim Agushi.
Në fund kupën shkollës fituese dhe vendit të dytë ua dorëzoi menaxherja e futbollit të femrave në FFK, Valbona Gashi-Uka, shkruan faqja zyrtare e FFK-së. /2LONLINE/