Sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti me një aktivitet simbolik ka shënuar Ditën Evropiane të të Drejtave të Pacientit, ku punëtorët shëndetësor pacientëve të rastit i’u kanë shpërndarë kartën e të drejtave të pacientit si dhe është biseduar rreth të drejtave të pacientëve dhe përgjegjësive që ata kanë brenda institucioneve shëndetësore .
Përndryshe, 18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve.
Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, qasjen në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim.
Përndryshe, gjatë fundit të vitit 2023 në Viti është formuar edhe Këshilli i Pacientëve, i cili do të jetë pjesë aktive e QKMF-së. /2LONLINE/