Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke punuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale me qëllim zhvillimin e pjesëtarëve të saj në fusha të ndryshme profesionale. Këto ditë me qëllim të ngritjes së profesionalizmit dhe marrjes së njohurive më të reja janë organizuar trajnime të specializuara të cilat janë organizuar në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar.
Në dy javët e fundit Departamenti i Burimeve Njerëzore, respektivisht Divizioni i Trajnimeve i Policisë së Kosovës, mbështetur nga partnerët ndërkombëtar, ka mbajtur trajnimet lidhur me temat ‘terrorizmi’ dhe ‘trajtimi i dëshmive digjitale’. Qëllimi i këtyre trajnimeve është shkëmbimi i përvojave, ngritja e njohurive të reja, adresimi i sfidave të reja në këto fusha.
Gjithashtu, në kuadër të ‘Projektit për Reformat në Policinë e Kosovës’, janë mbajtur dy punëtori në fushën e harmonizimit të procedurave dhe proceseve të trajnimit dhe edukimit policorë, në përputhje me praktikat bashkëkohore të policimit në Bashkimin Evropian. Këto aktivitete të lartë përmendura janë pjesë e strategjive dhe qasjes gjithëpërfshirëse të ngritjes së kapaciteteve njerëzore, profesionale dhe institucionale.