Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga Zv.ministri Syla dhe zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, si dhe delegacionet e larta nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, bënë homazhe në përvjetorin e 24-të të betejës së lavdishme të Prekazit.
Aktiviteti i sotëm u realizua në vazhdën e aktiviteteve të planifikuara, në kuadër të manifestimit gjithëpopullor tradicional “Epopje e UÇK-së” në përkujtim dhe nderim të flijimit epik të Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe 58 anëtarëve, bashkëvendësëve e bashkëluftëtarëve tjerë të Prekazit heroik, në Betejën e Lavdishme të 5,6 dhe 7 marsit 1998.
Pas homazheve, Ministri Mehaj së bashku me delegacionin u pritën në Kullën e Jasharajve ku u pritën nga Baca Rifat Jashari, Lulzim Jashari dhe anëtarë tjerë të Familjes Emblematike Jashari.
Përkulja para varreve të Jasharajve dhe mesazhet e Bacës Rifat, mbeten frymëzimi i veçantë për gjithë ushtarët e FSK-së, për të vazhduar me përkushtimin maksimal dhe angazhimin vetëmohues në realizimin e detyrave ligjore dhe misionin kushtetues. /2LONLINE/