Universiteti “Kadri Zeka”, në Gjilan ka mbajtur sot provimet pranuese për afatin e parë, për vitin akademik 2018-2019, në fakultetin e Edukimit program Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Ekonomik në programet, Banka Financa dhe Kontabilitet, Menagjment dhe Marketing, Fakultetit Juridik dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.
Për të parë nga afër këtë proces, Bajram Kosumi Rektor në Universitetin “Kadri Zeka”, së bashku me Prorektorët, Sekretarin e Përgjithshëm, Dekanët dhe Kryetarin e Parlamentit studentor, kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, derisa janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj të cilën dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë. Rektori Bajram Kosumi, të gjithë kandidatëve u uroi suksese në provimin pranues.
Ai tha se provimi pranues ka filluar me kohë dhe se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
Të kënaqur me procesin dhe me shpresë që kanë kaluar provimin pranues janë shprehur edhe studentët.
Qëndresa Muja, Betim Shala dhe Adhurim Aliu, të cilat iu nënshtruan provimit pranues në Fakultetin e Edukimit, shpresojnë që do të pranohen dhe se sipas tyre provimi pranues ka qenë i lehtë.
Edhe Ahmet Ahmeti, i cili iu nënshtrua provimit pranues në Fakultetin Ekonomik, programi Banka Financa dhe Kontabilitet, Drilon Surdulli aplikues i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Valdrin Halabaku në Juridik, thanë se provimi ka qenë i kuptueshëm, ka pasur sqarime të mjaftueshme nga kujdestarët në sallën , derisa shpreson se do të kalojë me sukses dhe do të jetë student i Universitetit “Kadri Zeka”.
Ndryshe, ka pasur një interesim mjaft të madh të maturantëve për të qenë studentë në Universitetin “Kadri Zeka”, fakulteti më i preferuar është Edukimi, ku për një vend studimi garojnë katër studentë.
Universiteti “Kadri Zeka”, në afatin e parë, për vitin akademik 2018-2019, në fakultet për të cilat ka qenë i hapur konkursi, do të regjistrojë 1218 studentë të rregullt në studime baçelor, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri më 23.07.2018 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit. Shpallja e listës përfundimtare bëhet me datë 27.07.2018.