Ndonëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Gjilan, pritet të jetë në taborin opozitarë, dhe se gjashtë anëtarët e Kuvendit Komunal që janë të këtij subjekti politik, do të kenë rolin opozitar në këtë organ vendimmarrës, seanca e sotme themeluese, të përbërjes së re të Kuvendit Komunal të Gjilanit u drejtua nga Hevzi Xhelili, i PDK-së.
Kjo u bë për faktin se ai ishte anëtari më i vjetër i Kuvendit dhe sipas rregullores e drejtojë këtë seancë inauguruese e ku e dhanë betimin 35 anëtarë të përbërjes së re si dhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.
Përndryshe, Xhelili I PDK-së, për sa kryesoi seancën inauguruese, ndonëse me emocione, dukej se ndihej rahat në ulësen e Kryesuesit të Kuvendit, por që vetëm për sot, pasi kjo pozitë pritet t’i takojë ndonjë anëtari të LDK-së, si parti fituese, nëse nuk ndodh që në ndonjë matematikë të marrëveshjeve për bashkëqeverisje, t’i jepet kjo pozitë partnerëve të LDK-së.
Sidoqoftë, Xhelili i PDK-së mbajti edhe një fjalën mirëseardhje nga pozita e kryesimit të kësaj seance ku me këtë rast u shprehë se në këtë ditë, po marrin barrën e përgjegjësie dhe detyrave të reja që i presin përgjatë katër vitet e ardhshme.
Ai tha se po e shpreh konsideratën më të lartë për të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe mirënjohjen edhe për ish anëtarët e Kuvendit nga përbërja e kaluar për kontributin dhe angazhimin e tyre.
“Ne sot po marrim përgjegjësitë nga besimi që na e kanë dhënë qytetarët e Komunës së Gjilanit, Prandaj të angazhohemi që ta respektojmë këtë besim dhe të harrojmë ndarjet politike, të punojmë pa dallim etnie , feje, race dhe gjinie. Mos të harrojmë se ne sot jemi këtu fal besimit të qytetarëve, dhe mu për këtë për asnjë moment mos të lejojmë ta keqpërdorim këtë besim dhe mos të harrojmë se interesi I qytetarit është mbi të gjitha, edhe mbi interesin personal e partiak”, ka thënë Xhelili.
Ai i ka uruar të gjithë anëtarët të Kuvendit, për përgjegjësitë e marra dhe ka uruar edhe Kryetarin e Komunës, si dhe qytetarët e Komunës së Gjilanit për kulturën e lartë politike e demokratike të cilën e kanë treguar gjatë procesit zgjedhor.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka 35 këshilltarë, që përfaqësojnë 9 subjekte politike, përfshirë edhe komunitetet. Faton Bislimi, Bardhyl Syla, Antigona Kqiku, Avdyl Aliu, Fejzulla Berisha, Fitim Guda, Gentrit Murseli, Ramiz Ramadani, Teuta Suliqi, Shpresa Kurteshi, Rina Ahmeti-Kasumi (LDK), Nehat Osmani, Xhelal Hajrullahu, Nevzad Isufi, Arianit Sadiku, Festa Shabani, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arijeta Rexhepi (LVV), Riza Abdyli, Bujar Nevzati, Hevzi Xhelili, Shefik Surdulli, Erlehta Osmani, Imran Thaqi (PDK), Ibish Ibishi, Nazim Gagica, Mimoza Kadriu-Qerimi, Arta Nuhiu (AAK), Vjollca Matoshi, Shemsedin Ramushi (AKR), Anila Kastrati, Enver Hajrullahu (Nisma), Mefail Junuzi (Vatra), Kadir Hysenin (KDTP), Milivoje Stojanoviq (LS).