Drejtuesit e Radio Televizionit të Kosovës, kanë qëndruar në Universitetin Publik ‘Kadri Zeka” në Gjilan, ku kanë mbajtur një debat për raportin vjetor të punës së RTK-së për vitin 2023.
Drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj me bashkëpunëtorë, fillimisht është pritur nga Prof. Dr. Sadik Haxhiu, Prorektor për Mësimdhënie dhe Çështjeve të Studentëve, Dekanët e Njësive Akademike si dhe Sekretari i Përgjithshëm i UKZ-së.
Më pas Drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka shpalosur detaje të raportit para stafit dhe studentëve të UKZ-së, ku e pranishme ishte edhe nënkyetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Bunjaku Morina.
Ai ka thënë se gjatë vitit 2023, transmetuesi publik ka kaluar shumë sfida, por ka pasur edhe suksese.
Ahmetaxhekaj duke shpalosur raportin e punës për vitin e kaluar ka thënë se është pasuruar skema programore me emisione të reja, janë siguruar të drejtat sportive, është realizuar Festivali i Këngës, si dhe janë bërë investime në produksion dhe në rrjetin e transmetimit të Radio Kosovës.
Drejtori i RTK-së po ashtu ka treguar se shumë shpejtë do të fillojnë me një kanal online për të rinjtë që do të quhet ‘RTK Zonë’. ‘RTK Zonë’ do të ketë target moshat nga 13 deri në 29 vjeç, ku do të jenë gazetarë nga të gjitha komunat e Kosovës, gazetarë të rijnë të cilët jo domosdoshmërisht do të jenë me kontrata të rregullta, por është koncepti i ri i freelanserave. Sipas Drejtorit, Rtk po ashtu do të hap Zyrën në Gjilan, për arsye që RTK të jetë sa më afër qytetarëve.
Gjatë debatit studentët pjesëmarrës dhe stafi i UKZ-së janë interesuar për punën e RTK-së, duke parashtruar pyetje, për të cilat kanë marrë përgjigje nga drejtori Ahmetxhekaj. /2LONLINE/