Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, bashkë me inspektorët e tregut, kanë inspektuar disa biznes për të parë nga afër se sa po respektohen vendimet për ndarjen e produkteve me përmbajtje shtazore dhe atyre me përmbajtje bimore.
Gjatë kësaj vizite nëpër biznese, ministri iu ka shpjeguar në detaje vendimin.
“Jemi këtu bashkë me inspektorët e tregut për të parë nga afër se sa po zbatohet vendimi ynë sa i përket ndarjes fizike të produkteve bimore me ato shtazore. Ne vizituam tri markete të mëdha, dhe në secilin market kemi hasur parregullsi, kurse sa i përket ndarjeve fizike askund nuk ishin bërë ndarjet e produkteve siç kemi kërkuar”, deklaroi ministri Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se gjatë këtyre inspektimeve janë gjetur mashtrime në deklaracionin e produktit, me ç’rast edhe janë marrë masa ndaj marketeve.
“Kemi gjetur produkte me përshkrimin djathë, e që në fakt përmbajtja e tyre është bimore. Dhe në këtë rast, inspektorët kanë obliguar marketet që t’i largojnë këto produkte të cilat janë të vendosura në mënyrë mashtruese”, ka thënë Krasniqi.
Inspektorët kanë hasur sot në disa produkte të cilat ishin vendosur në rafte kundër asaj që parasheh vendimi.