Për vitin shkollorë 2017/2018 në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc janë regjistruar 1026 nxënës të shpërndarë në 42 paralele duke shënuar kështu një zvogëlim të numrit të nxënësve, thonë për Titulli.com përfaqësuesit e këtij institucioni shkollorë.
Zejni Fejzullahu drejtori i kësaj shkollë gjatë një bisede për Titulli.com tha se nga ky numër i nxënësve në gjimnazin e përgjithshëm janë 439 nxënës me 16 paralele dhe drejtimet profesionale kanë 26 paralele me gjithsejtë 587 nxënës.
Ai theksoi se për këtë vit shkollorë ka edhe tepricë teknologjike për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve e paraleleve në lëndët fizikë 50%, edukatë fizike 50%, lëndën e kimisë 40%, kulturë arti 10% e lëndë të tjera.
“Duhet pasur parasysh se shkalla e ulët e tepricës teknologjike nuk shprehë gjendjen reale të humbjes së orëve sepse si tepricë teknologjike shpallen vetëm punëtorët me vendim të përhershëm të marrëdhënies së punës. Ne kemi shumë mësimdhënës të punësuar në kohë të caktuar”, u shprehë Fejzullahu.
Sipas tij nuk mund të krijojnë marrëdhënie të punës në kohë të pacaktuar për shkak të ndalesës administrative nga ana e Qeverise për shpalljen e konkursit për pranimin e punëtorëve në kohë të pacaktuar.
Në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc funksionon gjimnazi i përgjithshëm, drejtimet e makinerisë dhe elektroteknikës, drejtimi i ekonomisë dhe drejtimi i mjekësisë motër medicinale.
Vitin e kaluar kjo shkollë kishte 1110 nxënës me 45 paralele ndërsa problem serioz vazhdon të mbetet mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
BURIMI: Titulli.com