Shkruan: FESTIM SHKODRA – koordinator i Regjionit të Gjilanit për garën ndërkombëtare “Kenguri pa kufi”
Më 18 Mars 2023 në Gjilan u mbajt me sukses Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi 2023” për Regjionin e Gjilanit . Në këtë garë morën pjesë rreth 200 nxënës të klasave I-XII, nga Regjioni i Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Artanë). Kjo garë mbahet njëkohësisht, në tërë Koosovën dhe botë. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti ,,Atom” në Prishtinë, me përkrahje edhe nga MASHTI.
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” mbahet njëkohësiht në mbarë botën, për dhjetëra vite me rradhë. Në këtë garë marrin pjesë nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në 6 kategori sipas klasave: Fillestarët (kl. I-II), Fatosët (kl. III-IV) , Pionierët (kl. V-VI), Kadetët (kl. VII-VIII), Juniorët (kl. IX-X) dhe Seniorët (kl. XI-XII). Të drejtën e pjesëmarrjes e kanë të gjithë nxënësit e këtyre klasave, pa marrë parasysh suksesin që kanë në lëndën e matematikës apo në përgjithësi. Ata iu nënshtrohen të njëjtave teste në tërë botën varësisht prej kategorive që iu takojnë. Kjo garë organizohet në mbi 80 shtete të botës, ku marrin pjesë mbi gjashtë milionë nxënës. Kjo është gara ndërkombëtare më e popullarizuar e matematikës si dhe gara më e madhe e dijes për nxënës, që organizohet në botë. Prandaj kjo garë është një mundësi e mirë që edhe nxënësit e Kosovës ta kenë këtë përvojë si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, duke u sprovuar në teste të njëjta nga matematika.
Republika e Kosovës sivjet mori pjesë për herë të shtatë në këtë garë, me të drejta të plota. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti Ndërkombëtar ,,Atom” në Prishtinë dhe u përkrah edhe nga MASHTI. Kjo garë u mbajt më 18 Mars 2023 në tërë Kosovën. Në kuadër të kësaj gare, sivjet në Kosovë morën pjesë rreth 3000 nxënës. Kjo është njëkohësisht edhe gara më e madhe vjetore e dijes, që organizohet në Kosovë. Kështu edhe matematikanët e Kosovës, po e afirmojnë shtetin tonë në shkallë botërore. Në këtë garë nëpër botë, posaçërisht marrin pjesë me numër tejet të madh nxënësit e shteteve të zhvilluara të botës.
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” u organizua edhe në Regjionin e Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Artanë), ku morën pjesë rreth 200 nxënës. Numri më i madh i garuesve ishin nga Komuna e Gjilanit. Ndërsa në kuadër të tyre, me përqindje më të madhe morën pjesë nxënësit nga shkollat: Hello Academy of Education, SHFMU “Nazmi Hoxha” dhe SHFMU “Musa Zajmi” nga Gjilani si dhe SHFMU <Dëshmorët e Vitisë” nga Vitia. Ndërsa sipas klasave më të shumtë ishin garuesit nga klasa e IV dhe klasa e III. Gara u mbajt për herë të dytë në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me përkrahje të madhe nga Fakulteti i Shkencave Aplikative (FSHA) pranë këtij universiteti dhe DKA në Gjilan. Ky universitet ofroi mikpritje të shkëlqyeshme dhe kushte tejet komode për mbajtjen e kësaj gare. Studentë të dalluar të degës së matematikës arsimore nga FSHA, e kryen detyrën e kujdestarisë gjatë kësaj gare, me përgjegjësi tejet të lartë. Ata u udhëhoqën nga administratorët Burim Jashari, Abedin Kadriu dhe Afrim Bunjaku dhe nën koordinimin e Koordinatorit të Regjionit të Gjilanit dhe njëkohësisht të Komunës së Gjilanit për këtë garë Festim Shkodrēs, Ndërsa koordinatorë komunalë të Vitisë, Kamenicës dhe Artanës për këtë garë edhe sivjet ishin përkatësisht: Burim Jashari, Agim Maliqi dhe Afrim Isufi.
Dega e matematikës pranë FSHA-së edhe sivjet kontribuoi me përkrahje të madhe logjistike etj., për mbajtjen me sukses të kësaj gare, posaçërisht profesorët dr. sc. Xhevdet Thaçi dhe dr. sc. Ekrem Halimi. Gjatë kësaj gare për nxënësit garues dhe stafin e garës, kompania vendore “Adea group” nga Gjilani dhuroi ujë të pastër kristal “Dea”. Kjo kompani për vite me rradhë i përkrahë garat e matematikës në Rajonin e Gjilanit. Të gjithë ata që e mbështetën organizimin e garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa Kufi 2023” në Gjilan, i falënderojmë publikisht për përkrahjen e dhënë.
Në hapjen e kësaj gare, në Gjilan mori pjesë, prorektori i UKZ-së për çështje mësimore dhe kërkimore dr. sc. Xhevdet Thaqi si dhe disa mysafirë rasti. Prorektori Thaqi, e përgëzoi këtë garë duke shprehë vullnetin që UKZ ta përkrahë edhe më tepër në të ardhmen, me dëshirë që ndonjë nga garuesit të bëhet edhe student i matematikës, shkencave kompjuterike apo edhe ndonjë dege tjetër këtu. Ai iu tha garuesve që “matematika iu shërben më së miri, në saje të ndërtimit të saj që ka si shkencë për hyrje të suksesshme edhe në lëmi të tjera si: shkenca kompjuterike, elektroteknikë, ekonomi, agronomi etj”. Prorektori Thaqi e vlerësoi shumë këtë garë dhe punën e madhe për organizimin e saj me sukses, që po bëjnë organizatorët e saj dhe posaçërisht koordinatori i kësaj gare profesori Festim Shkodra.
Garuesit i përshëndeti dhe e çmoi lartë garën, edhe mysafiri i rastit dr.sc. Fevzi Berisha – profesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ai i përgëzoi garuesit dhe iu tha atyre, se kjo garë pos zgjerimit të njohurive të tyre, iu mundëson që pos anës rigoroze të matematikës, të shohin dhe ndjejnë edhe anën argëtuese dhe aplikative të saj. Ai i inkurajoi garuesit që në vazhdimësi të marrin pjesë në këto gara të dijes.
Koordinatori Festim Shkodra, duke iu uruar suksese garuesve njëkohësisht iu tha atyre se ju të gjithë jeni fitues, sepse duke u përgatitë për këtë garë ju keni mësuar shumë gjëra të reja dhe përmes kësaj gare do të dilni shumë më të ditur. Ai iu tha garuesve, se kjo garë ju mundëson ta shihni se matematika mund të jetë njëkohësisht sa sfiduese, edhe praktike edhe argëtuese. Ai përmendi se rëndësia e madhe e Garës Ndërkombëtare ,,Kenguri pa kufi”, qëndron edhe në faktin se ajo po i then kufijtë midis shteteve dhe midis nxënësve, sepse po ju mundëson pjesëmarrjen e lirë të të gjithëve. Ai i përgëzoi garuesit për interesimin e madh të tyre për mbretëreshën e shkencave – matematikën, ai tha se kjo shkencë është në themelet e çdo shkence tjetër, por edhe iu shërben të gjitha shkencave tjera. Profesori Shkodra iu tha garuesve, se sot edhe ju po merrni pjesë në këtë sfidë të dijes sikur miliona fëmijë nga tërë bota, prandaj kjo garë ka rëndësi tejet të madhe për ju dhe vendin tonë në përgjithësi. Koordinatori Shkodra tha se kjo garë ndikon pozitivisht edhe në formimin shkencor të garuesve si dhe nxitë rritjen e arritshmërisë në shkollat tona. Prandaj ai tha se nevojitet përkrahje maksimale e institucioneve komunale dhe shtetit për çdo garë të dijes, e posaçërisht për matematikë.
Testet e kësaj gare përgatiten nga një komision ndërkombëtar i ngritur nga Asociacioni Ndërkombëtar ,,Kenguri Pa Kufi” me seli në Paris dhe kontrollohen në mënyrë elektronike nëpër shtetet prej nga vijnë nxënësit. Problemet/detyrat në garën “Kangaroo” nuk janë probleme standarde të librave shkollorë dhe vijnë nga një larmi e madhe temash. Përveç ideve frymëzuese, këmbënguljes dhe kreativitetit, ato kërkojnë imagjinatë, aftësi themelore llogaritëse, të menduarit logjik dhe strategji të tjera për zgjidhjen e problemeve. Rezultatet e testimit të garuesve komunikohen njëkohësisht në tërë botën, pas dy muajsh. Këto rezultate nuk shpallen publikisht, por iu komunikohen nxënësve (prindërve) individualisht. Për formën, formatin dhe mënyrën e komunikimit të rezultateve individuale të testimit të garuesve në Kosovë, ata do të informohen me kohë përmes ueb faqes së Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K): www.kangaroo-ks.org dhe faqes së Facebook-ut të MKC-K. Rezultatet individuale të kësaj gare nuk shpallen publikisht, në mënyrë që të ruhet privatësia e pjesëmarrësve. Ndërsa garuesit më të suksesshëm shpallen publikisht. Të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare në Kosovë do t’iu jepen certifikata të njohura ndërkombëtarisht, ku pasqyrohet suksesi i arritur nga secili nxënës.
Gara “Kenguri pa kufi” ka për qëllim promovimin e matematikës dhe rëndësisë së saj në gjithë botën. Veç kësaj, Instituti ATOM e përdorë këtë garë për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës, posaçërisht duke iu ofruar kurse të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës dhe qasje në literaturë të avancuar të matematikës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë.
Për më të dalluarit në nivel të shtetit, do të sigurohen edhe shpërblime të ndryshme varësisht nga mundësitë.
Suksese të gjithë pjesëmarrësve të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa kufi 2023”!
Mirupafshim në garën “Kenguri pa kufi 2024”! /2LONLINE/