Në Gjilan është bërë sot zbulimi i shtatores së heroit kombëtar, Idriz Seferi, në të cilën ngjarje, të vlerësuar madhështore për Gjilanin, morën pjesë, ndër tjerë, edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi si dhe presidentit i Shqipërisë Ilir Meta.
Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se sot po ngrihet shtatorja e një prijësi të madh, e një strategu të shquar. Idriz Seferi po inaugurohet në vigjilje të 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Shtatorja e komandantit dhe strategut të shquar Idriz Seferi po inaugurohet në përvjetorin e 90 të vdekjes së tij, në vigjilje të 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Cilësitë më të mira të luftëtarit, strategut dhe tribunit popullor, Idriz Seferi i sprovoi në mbrojtjen me armë në dorë të trojeve shqiptare, në bazë të platformës politike dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Sipas presidentit Thaçi, ai është shembull i prijësit të paepur, që nuk rreshti veprimtarinë kryengritëse për asnjë çast.
“Me urtësinë e një tribuni popullor, Idriz Seferi u shqua edhe në kuvende, ku arriti të pajtonte njerëzit në konflikte, me idenë se fati i atdheut qëndron mbi interesin individual”, ka thënë ai.
Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, presidenti Thaçi e ka shpallur edhe formalisht Idriz Seferin, Hero të Kosovës.
Ndërsa, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se ndjehet i lumtur që është sot këtu për të nderuar një figure kaq të lartë si Idriz Seferi. Ai ka thënë se vërtetë jemi dy shtete por jemi një komb i bashkuar.
Ai tha se Gjilani u shqua në të gjitha luftërat kur bëhej fjalë për lirinë e shqiptarëve.
Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se sot iu bëhet nderë dhe iu përkulemi kryengritësve të Anamoravës e Gollakut. Tash e tutje 27 nëntori është dita e Idriz Seferit.
Kreu i gjilanasve, që është edhe kreatori kryesor i vendosjes së shtatores, tha se presj sot roje lirisë së Kosovës i bënë edhe kolosi i Karadakut, i cili luftoi tërë jetën për lirinë e shqiptarëve.
“Pas Agim Ramadanit dhe heronjve e dëshmorëve tjerë, prej sot i bën roje lirisë së Kosovës dhe kolosi i Karadakut. I falënderoj dy presidentët për ardhjen në Gjilan dhe vlerësimin e figurës së kryengritësit më të madh të shqiptarëve. Ne sot i përkulemi të gjithë kryengritësve të Karadakut e Gollakut, Gjilanit e Anamoravës për kontributin e madh për çlirimin e Gjilanit, e çlirimin e Shkupit dhe gjithë atë kryengritje që shqiptarët t’i kenë të drejtat e tyre”, ka thënë Haziri.
“Tash e tutje 27 nëntori është dita e Idriz Seferit dhe ne do ta shënojmë si rikthimin i tij nga Karadaku. Urime 105-vjetori i pavarësisë së shqiptarëve. Urime 105 –vjetori i rikthimit të Heroit të Kosovës dhe Nderit të Kombit”, ka shtuar Haziri.
Përndryshe, sot është bërë zbulimi edhe i busteve të Reshat Ymerit, të Xhavit Ahmetit, të Esat Berishës, të Halim Oranës si dhe të Muharrem Ibrahimit.
Aktivitetet në nderë të Festës së 28 Nëntorit vazhdojnë.