Për shkak të fluksit të udhëtarëve, në pikën kufitare në Preshevë, në hyrje për në Maqedoni, pritet edhe deri në një orë, kurse kolonat e makinave janë të gjata disa kilometra.Nga Shoqata Automobilistike e Serbisë (AMSS) paralajmërojnë që qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë atë ta bëjnë vetëm gjatë ditës, kurse si kalim alternativ për të hyrë në Maqedoni të shfrytëzojnë Prohor Pçinjskin.
“Turmat në autostradë kohë pas kohe janë të mëdha, kështu që pritjet për të kaluar kufirin janë rreth 40 minuta. Komunikacion më të ngarkuar presim gjatë fundjavës, me ç’rast propozojmë kalimin tjetër alternativ Prohor Pçinjski. Gjithashtu, duhet të udhëtohet gjatë ditës dhe të pushohet më shpesh për shkak të temperaturave të larta”, thotë Jovica Mitiq nga AMSS, transmeton OK Radio. t[ cil[s i referohet Portali Titulli.
Sipas fjalëve të tij, doganierët grekë në kalimin kufitar Evzoni kanë bërë grevë gjatë fundjavës së kaluar, dhe kështu komunikacioni për makina për bartjen e mallrave ishte ndërprerë.
“Tani situata është më mirë”, thotë Mitiq, duke shtuar se pritjet në këtë kalim janë më të vogla. Ai kujton se shoferët duhet t’i ikin ngasjes së makinave nga ora 11:00 deri në orën 16:00.
Nga ana tjetër, shefi i agjencisë turistike “Euroturs” nga Nishi, dega në Vranjë, Srgjan Saviq, assesi nuk preferon kalimin përmes Prohor Pçinjskit.
“Ajo çfarë thuhet nga AMSS se është më mirë të kalohet përmes Prohorit, është deklaratë me automatizëm. Është shumë më e komplikuar për të shkuar në Prohor pasi që rruga është shumë më e keqe dhe e gjatë. Duke pas parasysh se bëhet fjalë për rrugë lokale, policia do t’iu ndalojë 500 herë dhe aq herë duhet të keni para nga pesë euro për të dhënë mito. Kur ia bëni një llogari gjithë kësaj do të kaloni shumë më keq sesa që keni menduar se do të kalonit në pikën kufitare në Preshevë”, thotë Saviq.
Ai apelon tek shoferët të cilët udhëtojnë për në Greqi se në territorin e Maqedonisë do të hasin në kontrolle të shpeshtuara të policisë. Sipas tij, në mënyrë të ndjeshme është rritur numri i policisë që patrullojnë në autostradë, që kryesisht kontrollojnë shpejtësinë e makinave.
Autobusët në pikën kufitare në mes të Maqedonisë dhe Greqisë mesatarisht vonohen rreth një orë.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=1442