Që moti kërkohet dorëheqja e Isa Mustafës, dorëheqje e cila, nëse jepej nga shtypja e partiakëve me aktivitet sporadik, do të ishte një shthurje tragjike për subjektin politik gjegjës.
Nga Reis Mirdita
Me këtë them gjithashtu se z. Mustafa, pas mossuksesit (të pritur) në zgjedhjet e fundit, ndoshta edhe duhet të dorëhiqet por jo pa kërkuar me ngulm që të pastrohen punët, vlerat dhe kundërvlerat brenda-partiake.
Të gjithë ata që “loznin” me ndërkëmbëza gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e kryeministrit, duke iu vërsulur për koalicionin me PDK dhe akuza të tjera qesharake për antirugovizëm, i shërbyen më shumë se çdo kush tjetër kauzës së atyre që vet i quanin “klani pronto”.
Figurat që me kohë “kryen detyrat e shtëpisë” duke u munduar ta copëtojnë dhe besa ta shuajnë LDK, si LDD e nuk di çka tjetër akoma, vetëm sa i furnizonin me benzinë Vjosën e company.
Me një respekt të veçantë që kam për znj. Donika Gërvallën, do t’ia përkujtoj këtu se ndihma subjektit që i takon, duhet të jetë e pandërprerë nëse ndihemi si faktorë lëvizës.
Aktivizimi “Bayrou-esk” nuk mjafton për të ndihmuar por për të keq bënë shumë, ngase paraqitet në çastet vendimtare sikur tanipara por edhe pas zgjedhjeve. Ata kritikojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e Mustafës me tërë pjesën që qëndroi për ballë stuhive politike nga jashtë subjektit e sidomos nga kundërvlerat dhe papërgjegjësitë e disa fytyrave në vet LDK, pra të parët nuk duhet të largohen; ata duhet të kërkojnë përjashtimin të pa revokueshëm të dytëve! Pse?
Thjeshtë nga fakti se këta persona (që thirren në rugovizëm), duhet të tregojnë se sa vota i sollën LDK; apo thënë ndryshe dhe më saktë, sa vota ia vodhën partisë së tyre si dhe sa abstenime sollën.
Sikur të gjithë së bashku t’ishin radhitur, në këtë rast pas Avdullah Hotit (edhe pse i nxjerrë nga “xhepi” i Isës), debakli nuk do të kishte pasur vend! Jeni të kënaqur tash?
Sa i përket Mustafës, jam i bindur se duhet të jep dorëheqje, por jo për shkaqet që revokojnë jo luajalët e LDK. Ata duhet të largohen para kryetarit që i toleroi të lozin twist!