Jemi në një kohë kur pazari, rrugë e rrugica, janë rrastë plotë me njerëz, – që shiten por edhe një numër më i madh që ishin plotësisht të lirë… Asnjë krahasim të mundshëm me dimensionet historike.
Reis Mirdita
N‘ato kohëra njerëzit shiteshin nga pronarët e tyre. Epokë e skllevërve dhe skllavopronarëve. Thuhet se atëherë, njeriut në pazar i shikoheshin edhe dhëmbët a i ka të shëndoshë ! Dhëmbëkrimburit nuk ishin të dorës së parë, njëjtë sikur edhe koc-e-lëkurët.
Pyetje kurciale ishte edhe çështja e llafazanllëkut, thënë në një mënyrë tjetër: e besnikërisë. Kësi skllavesh nuk blinte askush se çdo fshehtësi e brendshme përfundonte rrugëve… Andaj për ta dënimet ishin barbare.
Tash them faleminderit që nuk jetojmë më në kohëra e sisteme të tilla. Sot njeriu është i lirë dhe me këtë, shitet vet, ashtu lirshëm. Ca dhëmbëkrimbur shkojnë për një çanak çorbë a byrek të papjekur mirë se iu konvenon dhëmbëve të tyre; të tjerë shkojnë pak më shtrenjtë e do që munden me bë shokë apo me afruar të tjerë që shiten, besa kërkojnë kompensim me euro, lekë e denarë; a po merrni vesh a jo?! Lloj-lloj paresh ha pazari!
Sot shiten e blihen edhe njerëz me dije të madhe, me trurin alamet…, vërc andej, verc këndej. Këta me dije kanë edhe taktikë superiore: Shajnë e bërtasin pas një ane, e rrisin çmimin e vet dhe ditën e pazarit të madh, shiten pak si ma me çmim të volitshëm, hej bre daí, hyjnë edhe në rendin e pasanikëve e bëjnë nam të madh në jetën soc-politike.
Për ata në shkallët e epërme, e dinë të gjithë se shiten kahmos por edhe e kthejnë gëzofin kahmos. Frynë era më kot; gëzofi i mbron. Thatë “gjer kurrë?!”. Këtë s’e di!
Ndoshta kur të zgjohen ata që nuk shiten e qe besa nuk janë pak!