Në konkursin letrar “FLAKA E JANARIT”, Gjilan, 2022, kjo prozë u vlerësua me çmim të tretë
MAKTHI CULLAK
Mehmetali Rexhepi
…cullak. Nuk e dija ku kisha fjetur dhe pse paskam mbetur i zhveshur? Shtrati ishte në dhimbjet e mia; flija në një shtrat vertikal. Shtegut ishte terr. Gjuhës i mungonte shkrepja për të ndezur dhe, nuk ndezte në ploti as fijet e kashtës. Mos vallë e këtillë qenka gjuha e memecit në hapësirën e natës së këtushme? Nëpër atë hapësirë të pakëndshme, që ma dëbonte bardhësinë nga sytë e mi, sikurse kishte dëbuar para njëqind e pesëdhjetë vjetësh mijëra sy e shikime të fundit pa caqe… Ato shikime të ngrira në trishtimin e tyre, i kishin hapur gropa varresh dheut dhe kujtesës. Në hartën e kësaj hapësire, kurdo që ktheja vështrimin, errësira më dendësohej.
***
Shikoja, por shihja të hirtën. Kurdoherë e zeza në të hirtë më përkiste mua! Dita e ecejakeve të mia niste me një hirësi dhe vijonte me të errëtën. “Katun”,“Qerimci” ishin veçse shenja, onomastikë memece. Hapësira më piketonte hije figurash të zeza, ri-dalje dinozaurësh e lugetër gjenesh të vjetra, vijimësisë të rejat… Dikur kishte pasur një nisje, ngaqë fundin nuk mund ta shihja dhe, që kur ishte e tillë kjo mynxyrë?! E dija se do të vijojë të jetë asisoj… Me duhmën e brendshme në zorrë, që u del nga barku, goja e mendja, ende pa u tretur viktimat… Por, si mbeta i zhveshur, ngaqë nuk kisha kryer asnjë akt mbi një të cullakuar tjetër? Nuk kishte një shtrat për mua.
***
Bredhërija e natës nuk më shpinte askund. I thosha dytëshorit nata e gjumit sjell diçka të pakapshme të ditës… Në mos asgjë të shpalon inserte mëtimesh për kërkime e prekje… Lakmoja thesarin e pandjeshëm të gjumit. Një portë e hyrjes në amshim… Nuk më jepej ai thesar i dhimbjes, ngase doli prej ferrit dhe, shtriheshin tentakula të zeza mbi mua.
– Terri ka veshë! – më pëshpëriti dytëshori
– Mirëpo, nuk ka sy! – ia ktheva.
– Ka sendorë, shpuzore ndijimesh…
– Ku ta gjej tash veshjen time?
Dytëshori lypte të imagjinuarën për mbështjellje nën një zhguall enigme; ndaj nuk kishte se si të ma mbulonte mua cullakun. Vëmendja më kot tëhollonte ndjeshmërinë e aktit të tillë. Nuk kishte banjë, as lumë, as liqe, as det që të përtrollitej akti i ndërresave të brendshme. Ecja zbathur mbi gjethe të zverdhura, të thara zhap, zhap, zhap. Ndonjë asht i mprehtë mund të më ngulej si mallkim legjitim i harresës… Mund të trazoja qindra këmbë-zeza të alarmuara. Duhej të ecja diku… Kah? Ndoshta andej ku fshihej kuptimi i përrallës? Andej kah kishin fluturuar dragonjtë shumëkëmbësh me thonj e kanxha të gjata; atje ku ishin shkërmoqur nëpër flakë, përderisa fosilet ua kishte përpirë hiri, dheu, rëra, shirat, kripërat e pëlcitura…
***
Dyshoja në njëshin tim. Ndryshe e shihte natën dytëshori, ai fshihej në një zhguall frike… Mëtoja të mos hyja nën atë zhguall dhe, ai secilën herë ma ofronte. Ashtu i përçudnuar, i cullakuar, krenaria ndjehej e cenuar, nuk kishte ku të fshihej. Sipërfaqësisht do t`iu dukesha shpellor, ose i sapo dalë nga shpellat e pazbuluara të asaj hapësire të errët. Kush m`i kishte hequr brekët e intimes: duart e mia të mbetura diku ose krahët e dikujt me duar të mia?! Me rrobat e natës nuk më dyshohej raca.
– E si: a nuk ishin edhe këta grabitqarë të kulturuar, kategori e majmunëve të zhveshur, vetëm që u mbuluan prej leshi?
– Prej shpellave dolën, stolitë tona morën dhe mbuluan bythët e palara.
– Ah! – lëshoi një ofshamë dytëshori i strukur.
Çfarë deshi ai? Zbrazi një barrë shpirti që nuk shpihej më tej…
Në mozaikun e mendjes më vezullonte edhe ndonjë copë hamendje: pse të neveriteshin prej figurës cullake, kur edhe ata kishin të njëjtat gjymtyrë mashkullore? Pyetja ishte e marrë, ngaqë prishte rendin publik. Lajthitja publike e shporrte lajthitjen intime. Tashti më kaplonin trazira për turbullimin e mendjes së shëndoshë!
– Në cilën shkallë të lajthitjes qenkam ngjitur?!
– A mund të bie e të mos ngrihem? – lypja tumiren e dytëshorit, i cili më shkëputej dhe kthehej për t`mi zbutur amplitudat e tensionit.
Përderisa vesa e agmisë më mbuloi me tisin e saj të reumës, dita do të më ekspozojë, si një figurë e gjallë e një galerie shëtitëse, me duar herë fytyrë mbuluar, herë poshtë lëshuar mbi herdhe. Mbase cullakoja le përshtypjen e një karikature. Asgjë mangët nga ata, pos që karikaturat e veta ua zbulonin grave të tyre. Në sytë e secilit isha i çmenduri me turpin e humbur. Në sytë e secilës tinëzisht shquhej ai sendi, formati i pallës. Një përfytyrim lëng-ndjellës për të çarën e butë dhe vrushkuj jonesh. Isha një arkaik ose modern i pacipë, i shkalluar, i degraduar, ironizues, protestues, i marri që duhej pështyrë e sharë, i sëmuri mental, që kishte ikur nga shtëpia përkatëse… Madje, dikush aktin tim të cullakuar mund ta shihte si një parodi, si shtytje e skajshme, zvetënim e rebelim për kthimin e sojit të njeriut në zanafillë! Ndodhja ime e tillë në skajin e trishtimit, hapat mbi gjenet e humbura të parakëve të mi në këtë anames fshatarak, do të shihen si provokim, si ndotje e sedrës femërore. Gjithnjë një folklor i heshtur do të zgjohej me sfurqe druri e metali, të ndiqej, t`iu hiqej sysh i huaji faqezi, shurdh-memeci, i mallkuari poshtërues!
Pothuajse të gjitha shikimet kalimtarëve u vareshin pikësëpari në pallën time, që epohej në të majtë e të djathtë prej ritmit të shpejtuar të ecjes dhe vrapit. Ndoshta ndonjëra e ndjente thellësisht ethshëm përmes joneve tundimin e vagjinës, mund t`i ndodhte tjetrës rrjedhja e tëmblit lugut të shalëve? Ndoshta akëcilës i zgjohej vrullshëm vlimi, që i gufonte tëmblin pas vlimit; pastaj i ftohej dhe bëhej kokrra të piksura, si droçka djathi a kosi… Sekush shtyhej t`i rikthehej pasqyrës së gjatë, ta lypte estetikën e dëshirueshme, të krahasueshme me shfaqjen e gjymtyrëve të mia? Kushedi? Mushkëritë nuk e përballojnë dot marrjen dhe nxjerrjen e frymës… E ndjeja fillim-djegien e mushkërive.
***
Gjithë atë ecje, nuk di si i mbanin këmbët gjymtyrët tjera? Trualli ku shkelja nuk ishte i sheshtë dhe, ligat më rridhnin nga një kundërmim i fërgimit. Isha gati të rrëzohesha. Nuk duhej të rrëzohesha, sepse do të më nguleshin pamëshirshëm sfurqet metalike të zhytur në plehra. Hera herës pallës i vinte vegjetacioni i kokë-ngritjes, gjersa sfondi hapej paskajë dhe caku nuk shihej askund… Si mos të ketë një sfond ku të më mbështetej shpina? Përfytyrimet e dytëshorit për gjetje të shtegut për shmangie, më shpinin në sfondin e afërm të dhjeta figurave të xhindosura me maje sfurqesh drejt meje! Më kot i dëboja ato pamje, të cilat më sollën vezullimat fragmentare të sfurqeve, aty ku kishin rënë bajgat! Oh…! Vullnet i qindra fish!… Prisja trishtimin e parë të çarjes së barkut, të gjoksit, të vitheve dhe, më vetëtoi syve një majë sfurku!… Nuk e merrja me mend nguljen në sy! Pas secilit dëbim të dytëshorit me parandjenja të gjalla, aq sa fijet e flokut në kokë, sërishmi më kthehej me të tilla të dyfishuara… E kërkoja një dytëshor tjetërsoj, që nuk do të ma ndillte kapitullimin në luftën enigmatike të pabarabartë. Nuk më bindej dytëshori. Vinte dhe sillte atmosferën e nguljes së majave të sfurqeve në cullakun e gatitur. Nuk kisha forcën e kundërvënies atmosferës së tij. Vetëm palla ime prirej drejt forcimit për qefin e vet të imagjinuar! As dytëshori, as unë nuk e shpjegonim vetëmohimin e pallës në galopin e rrëshqitshëm të ndjekjes. Vetëm sa nuk i shkëmbeja gulçimet e frymëmarrjes me ndjekësit!… Ishte një vetëpohim i egër dhe tej arsyes, paradoksal dhe fyes i pallës luhatëse andej-këndej… Palla e ngritur ishte një motivues cinik i urrejtjes për të mos u ndalur moria e ndjekësve, për të mos pasur as një fije mëshire, nëse do të më kapnin duart e tyre vrastare… Nga i vinte ai motiv misterioz kësaj palle kobtare?! Ndoshta ishte relikte e një gjeni të mbetur nga periudha e egërsisë së poligamive? Kush e ushqente atë motivim të pandalshëm, buzë shkuarjeve të tejpërtejme të metalit të mprehtë në mishin e gjallë të njeriut?! Aah, uuhh, oooh, oohhaa!… Përnjëherë, që të mos kapesha, më përpiu humnera e ëndrrës!
Mbeta në këmbë. I zbehtë dhe pa gjak, por nën vrujime djersësh të ftohta.
***
Mëdyshja sa vinte e më zgjerohej… Ndoshta isha përjashtim i racës, porse rastësisht jam ky që jam. Përpëlitesha mes akullit dhe zjarrit… Akulli i urrejtjes ishte vendor. Zjarrin e fshehur të këtij lloji epshi dozash të forta, ma kishte kurdisur Perëndesha Moderne e Dashurisë. Ajo në menynë ciklike fuste substancën e flakës dhe e shuante kur i duhej asaj. Fajtori ishte përtej meje.
– Përmbajtja e ndodhjes të së keqes është jashtë shpirtrave engjëllorë… – duke vijuar dytëshori shtoi:
– Që do të ndodh, si do të ndodh, parandjenja jote nuk është një formulë e gjetjes të saktësisë së ndodhjes.
– E ndodhura nuk vjen kur dhe kah e parandieje ti… Ajo mund të mos jetë trishtuese, mund të jetë shpirt-butë, ngase del nga shpirtra të ngjashëm me tanët, të vdekshëm si ne…
Dytëshori ma kishte kapur dorën dhe donte të më çonte te një oazë idilesh… Kjo urtësi ishte njëri nga fragmentet e idhujtarisë tij. Ishte pos një vegim tutje qarkut të mbyllur të fatit. Shpirtrat e sogjetarëve në këtë hapësirë të parakëve të mi, të këtij relievi kodrinor me lugina, fusha, lisnaja, ara, livadhe e vreshta hardhish, ishin mbushur me përshpirteni, me bekime të popëve, se prej Zotit të tyre, kudo që ishte derdhur gjak, gjaku u shenjtërohej!
***
Mëtoja ta gjeja fillin e ndodhjes time…
Ai fill nuk lidhej me prejardhjen e universit, as zgjidhej prej zgjerimit të gjithësisë. Veshët mëtonin t`i kapnin klithmat e një foshnje prej qeshjes së çastit; prej të vetmes qeshje pas nguljes në bajonetë, pastaj çurg i kuq mbi borë! Lëngata e dëshpërimit është bari i përhershëm, që mbinë e rritet pa riga të shiut… Frymëmarrjet e lagështa e ushqejnë gufimin prej shtresimit të nëndheshëm dhe, del në pah tharja e unit nga zbrazësia e vegjetimit. Lotët e vesës dhe ndonjë rigë mëkëmbin ferrat e gomarit, lule-gjembat, të cilat harlisen dhe shpojnë shikimet e buta të syve. Përherë e më qartë e shihja sfondin e zi të monodramës: thikën në qafën e qengjit, djaloshit pranveror në dorën e zezë të një Golluboviq-it! Thika e ”bekuar” e popëve leshra thinjur e mjekrash zdrale!
Thika, popët mjekër thinjur e lesh zdrale, koka e prerë e pranverës së djaloshit, shkeljet e mia mbi truall klithjesh, fëmijësh të ngrirë, dënesje grash, skelete… Nëma të tej-zgjatura të mbira prej rrënjësh të nëndheshme. Mandej thika, kisha e lutjeve për prerje, popi mjekër-thinjur lesh-zdrale… Pastaj torzo, koka, koka, koka, vetëm koka pa gjymtyrë, llahtar!…
SHIFRA: INTUITA