Gjatë vitit 2022, në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë realizuar 1 mijë e 202 e ndërhyrje kirurgjike, sipas raportit vjetor të punës, ka bërë me dije Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Prej tyre, janë kryer 316 vena varikoze, 102 urëzime (bypass) në ekstremitete, 44 intervenime në arteriet e qafës (karotide), 21 zgjerime të aortës abdominale (aneurizma) dhe 251 fistula arterio-venoze.
Për 12 muaj, janë kryer edhe 468 operacione të llojeve tjera si: intervenime për shkak të lëndimeve të enëve të gjakut, ekscizione të tumoreve dhe malformacioneve vaskulare, vendosje të porteve për kimioterapi, operacione në gjëndrën tiroide dhe operacione për shpute diabetike.
Në Ambulancën Specialistike të Kirurgjisë Vaskulare janë bërë 8 mijë e 164 vizita, derisa në klinikë kanë qenë të shtrirë 1 mijë e 405 pacientë për trajtim.
Klinika e Kirurgjisë Vaskulare ka arritur të zvogëlojë listën e pritjes të operacioneve për vena varikoze dhe ka bërë plane për ngritjen e kapaciteteve për kirurgji endovaskulare, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. /2LONLINE/