Në Gjilan, u mbajtën garat e enigmatëve në sajimin dhe zgjidhjen e enigmave.
Kampion u shpall: Skender Tullumi (ne sajimin e enigmave) dhe Agim Ajvazi (ne zgjidhjen e enigmave)
Garat janë zhvilluar në një atmosferë interesante dhe me shumë entuziazëm nga ana e garuesve nga mbarë trojet shqiptare.
Garat i ka hapur Shemsedin Kryeziu, kryetar i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, i cili shpalli zyrtarisht garat e radhës së enigmatëve në zgjidhjen e enigmave, duke ju dëshiruar suksese pjesëmarrësve-garuesve të kësaj gare.
Kampion i sivjetmë, në sajimin e enigmave u shpall Skender Tullumi, ndërsa në zgjidhjen e enigmave i pari doli Agim Ajvazi, të cilëve ju dorëzuan kupat e artë dhe shpërblimet monetare nga ana e organizatorëve.
Duhet cekur edhe këtë informacion, se në kuadër të garave të enigmatëve, është hapur një ekspozitë speciale me vepra të autorëve botërorë të karikaturave, nën përkujdesin e Shoqatës së Karikaturistëve “Hithi”, nga Ferizaj, me në krye, Imri Musliu, drejtor dhe Besnik Kastrati, koordinator i kësaj shoqate.
Pas garave, u organizua një tryezë, ku temë bosht, ishte enigmatika: “dje, sot dhe nesër”. Tryezën e udhëhoqi, Zijadin Hasani, kryeredaktor i revistës së enigmatëve “Horizonti”, duke u ndalur në zhvillimet e fundit të ngjarjeve nga lëmi i enigmatikës, që po i organizon dhe menaxhon, tashmë Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” e Gjilanit, në bashkëpunim me enigmatë nga të gjitha trojet shqiptare.
Tryezën e begatuan, temat interesante nga historiku i enigmatikës shqiptare dhe asaj aktuale, me referues:Skender Tullumi, Ismail Gagica, Xhelal Abrashi, Mensur Mamuti etj.
Pas përmbylljes së garave, pjesëmarrësit u drejtuan në një shëtitje të lirë qendrës së Gjilanit, që më pas, takimin e përmbyllën me një drekë të shërbyer në ambientet e Hotel “Kristal” të Gjilanit. Fotografia e përbashkët e pjesëmarrësve, la përshtypje se së shpejti do të lënë takimin e radhës së enigmatëve, në garat që do të jenë në kuadër të Manifestimit kulturor “Flaka e janarit 2025”, në Gjilan. /2LONLINE/