Në Gjilan së shpejti pritet të fillojnë kontrollet sistematike shëndetësore të nxënësve.
Drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani ka takuar sot për këtë qëllim drejtoreshën e Arsimit, Albana Demiri, ku kanë diskutuar për fillimin e vizitave sistematike mjekësore në shkollat fillore të kësaj komune.
Nxënësit e klasës së parë, pestë dhe të nëntë, janë target i kontrolleve mjekësore për shkak të specifikave në zhvillim.
“Vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve do të bëhet në ekzaminimin e shëndetit oral: higjiena e gojës dhe dhëmbëve, diagnozat ortodontike etj, dhe në parametrat e përgjithshëm shëndetësor siç janë qëndrimi e zhvillimi trupor, pesha, gjatësia, lëkura, pastërtia, sëmundjet e veshit e syrit, zhvillimi kognitiv-emocional e konstatime të tjera”, ka thënë drejtoresha Osmani.
Drejtoresha e Arsimit, Demiri, potencoi se këto kontrolle mjekësore janë të nevojshme për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, duke treguar që numri i nxënësve që do të jenë target për këtë vit është mbi 3800 nxënës.
Gjithashtu Osmani dhe Demiri u dakorduan që nga viti tjetër shkollor, të fillohet me kontrolle edhe për fëmijët e nivelit parafillor në të gjitha institucionet edukativo-arsimore.
Këto kontrolle priten të realizohen javëve në vazhdim. /2LONLINE/