Në fshatin Cërnicë të Gjilanit njolloset sfondi ku ditë më parë, është vënë pllaka “Shtëpia bazë e UÇK-së”, e ky akt vandal, për Shoqatën e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së, Dega në Gjilan, është një qyqarllëk dhe mjerim që nuk njeh kufij.
Shaqir Shaqiri, zëdhënës i OVL UÇK-së, duke e përcjellë reagimin e kësaj organizate, thotë se asnjëherë nuk ka pushuar së vepruari dora e stërzgjatur e UDB-ashëve, përmes së cilës janë shtypur me dhunë çdo proces i nisur kombëtar dhe janë persekutuar bartësit e saj.
“OVL e UÇK-së, Dega në Gjilan, në koordinim me ish komandantin e ish ZOK të UCK z, Ahmet Isufi – komandant Rexha dhe ish zv. Komandantin, z. Shemsi Syla – komandant Shaqa, kanë marrë vendim që me rastin e përvjetorit të Betejës së Zhegocit, të vihen pllaka në shtëpitë e evidentuara si baza të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shënuar si “Shtëpia-Bazë e UÇK-së”. Por një akt i tillë, ashtu sikurse edhe vet UÇK-ja dhe lufta e saj e lavdishme, nuk u mirëpritën nga të gjithë. Ata që nuk e mirëpritën, sigurisht se u vunë ne veprim”, thotë Shaqiri, transmeton Portali 2LONLINE.
Sipas tij, aktin vandal të mbrëmjes së kaluar, e bërë njësh me kobëzinë e natës edhe autori kobzi veprues, njollos sfondin ku është vendosur pllaka “Shtëpia – Bazë e UÇK-së”, në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit.
“Ne jemi të bindur se prapa këtij akti qyqar fshihet dora e një mentaliteti të ulët, të pacipë dhe hakmarrës, i cili tenton të fshihet prapa “kryqit me katër S”. Po ashtu jemi të vetëdijshëm se vërja në sfond e kryqit me katër S, nuk do të thotë ekzaktësisht se ky veprim është bërë nga dora serbe. Si do qoftë, ne e dënojmë fuqishëm një akt i tillë qyqar, dhe kërkojmë nga policia e Kosovës që autorët e kësaj vepre të nxirren para drejtësisë, thotë tutje Shaqiri.
Sipas tij, Kosovë, falë luftës së pastër të UÇK-së dhe gjakut të derdhur të dëshmorëve të saj, arriti të ketë mbështetjen e demokracisë perëndimore për të qenë sot këtu ku jemi. Prandaj, organizimi, formimi dhe lufta e shenjtë e UÇK-së i mbeten madhërishëm historisë. Historia nuk zhbëhet dot dhe nuk tjetërsohet, përpjekjet e tilla qyqare janë të kota.