Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përshëndet veprimin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, për dërgimin e shkresës në sekretariatin e CEFTA-së në mënyrë që të përfaqësohemi si shtet e jo përmes UNMIK-ut.
OAK gjatë takimeve të realizuara ndër vite me Institucionet e vendit, vazhdimisht ka kërkuar që Kosova në CEFTA të përfaqësohet si shtet me të drejta të plota dhe jo si UNMIK siç është duke ndodh tani e 13 vite që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.
Për më tepër, ne kemi nënshkruar këtë marrëveshje pa mbrojtje paraprake të asnjë produkti dhe është shumë e rëndësishme që Kosova përfundimisht të fillojë mbrojtjen e produkteve vendore dhe ç’do pengesë që i krijohet të veprojë me reciprocitet të plotë.
Ministrja Hajdari është e vetmja që deri më tani ka përkrahur këtë kërkesë dhe ka ndërmarr hap konkret për adresimin e kësaj çështje, e cila është për t’u përshëndetur dhe falënderon publikisht Ministren Hajdari për trajtimin e rastit të përfaqësimit të Kosovës në CEFTA, duke konsideruar që si shtet duhet të trajtohemi të barabartë me të gjitha vendet e tjera nënshkruese të kësaj marrëveshje. /2LONLINE.com/