Në Bresalc të Gjilanit është përuruar sot ferma e dhive, e cila ka kapacitet prej 160 krerësh. Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas prerjes së shiritit, ka përgëzuar pronarin Avni Syla për këtë sukses, ndërsa tha se kjo fermë është shembulli më i mirë i punës.
“Ju uroj për këtë sukses pronarëve dhe të gjithë atyre që kanë qenë në angazhuar në zhvillimin e kësaj ferme, e cila është bazë e zhvillimit lokal ekonomik, agrobiznesit dhe zhvillimit të familjeve bujqësore. Definitivisht, më gëzon fakti i zhvillimit të kësaj ferme, e cila është shembulli më i mirë se si duhet të punojmë. Gëzuar!”, tha Haziri.
Me këtë rast, kryetari Haziri e ka dhënë lajmin e gëzueshëm për pronarët, për fillimin e ndërtimit të rrugës që çon në këtë fermë, për operimin sa më të suksesshëm.
Ndërkaq, pronari i kësaj ferme, Avni Syla, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen, sikurse Ministrinë e Bujqësisë për operim të suksesshëm të fermës së tij.
Duke qenë se vëllai i tij, bashkatdhetar nga Zvicra, ka financuar në këtë fermë, Syla ka ftuar edhe bashkatdhetarët tjerë që të investojnë në Gjilan sepse në këtë mënyrë ndikojnë edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Përndryshe, kjo fermë posedon makinën mjelëse, ndër më moderne, e cila garanton cilësi të lartë të qumështit.