Në nderim të veprës së heronjve të Kombit, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku së bashku me prorektorët, dekanët dhe stafin e UKZ-së, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.
Më pas nderime janë bërë edhe te shtatorja në qytet, ku janë nderuar dy figurat qendrore të rezistencës shqiptare dhe përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e pavarësi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha.
Rektori Dërmaku me delegacionin e tij, ka vizituar edhe familjet e dëshmorëve Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, ku ka thënë se janari ndriçon rrugën tonë të lirisë dhe na përkujton sakrificën e dëshmorëve, andaj përulemi me nderimin më të madh para atyre që me sakrificën e tyre bënë të mundur që ne sot t’i nderojmë ata në liri.
Njëherësh Rektori me bashkëpunëtor, ka vizituar shtëpinë e vjetër të Rexhep Malajt, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës, nga sot është vendos në kategorinë e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe që në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe familjen Malaj do të shndërrohet në muze.
Ndryshe, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha janë ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare. Ndërmjet 11 e 12 janarit, 40 vite më parë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.Sot për veprën patriotike të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës me plot krenari flasin bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët dhe mbarë Kosova e trevat shqiptare. /2LONLINE/