Dikush brenda Qendrës së testimit në Gjilan, që i nënshtrohej testit për patentë shofer, dukej se kishte ndihmë nga jashtë, e cila vinte përmes përdorimit pajisjes motorola.
Por, kjo nuk kishte përfunduar për të mirë për mashtruesin, pasi ai ishte kapur nga policia dhe tani do të përballet me organet përkatëse nën dyshimin për mashtrim.
Nënkolonel Shaban Azizi, Zëvendësdrejtori Rajonal i Policisë në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se në bazë një informate, në oborrin e Stacionit te Autobusëve në Gjilan, nga njësiti kundër krimeve ekonomike dhe korrupsion, është kapur një i dyshuar brenda veturës Golf VI, teksa komunikonte përmes pajisjeve-motorola.
“I dyshuari, ka pasur dy radio komunikuese ku dyshohet se përmes tyre, iu ka dhënë ndihmë kandidatëve në kryerjen e testit-teorik për patentë shofer”, ka bërë të ditur nënkolonel Shaban Azizi.
Sipas tij, janë bastisur lokalet e biznesit, pronë e të dyshuarit, ku janë janë gjetur dhe konfiskuar teste të autoshkollës, laptop telefona mobil si dhe janë konfiskuar edhe video incizime në qendrën e patentë shofereve dhe stacionin e autobusëve.
“Dy të dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor. Në konsultim me Prokurorin ndaj njërit nga të dyshuarit është lëshuar aktvendim mbi ndalimin për 48 orë, ndërsa personi tjetër është liruar”, ka bërë me dije nënkolonel Shaban Azizi.