Në kuadër të javës së 20-të, FC Drita zhvillon ndeshjen si mysafire e FC Lirisë.
“E dimë që nesër kemi përballë Lirinë e cila është mobilizuar për t’i ikur rënies direkte nga Superliga dhe me një trajner të ri. E pamë edhe ndeshjen e fundit, bëhet fjalë për një skuadër e motivuar, por gjithsesi neve na intereson skuadra jonë, objektivi jonë që është fitorja dhe asnjë gjë tjetër. Mendoj që nga humbja që pësuam kemi nxjerrë shumë analiza të mira dhe mendoj që të mëdhenj janë edhe ata që dinë t’i shfrytëzojnë këto rezultate negative për t’u përmirësuar nga vetja, që edhe futbollistët të mos i përsërisin më gabimet”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.
Përndryshe, Ramadani njoftoi se portieri Florian Smakiqi nuk është i gatshëm për ndeshje, ndërsa shkalla e lëndimit do të kuptohet nga ekspertët mjekësor.
Megjithatë, ai është i bindur në kontigjentin e lojtarëve që ka në disponim. “Ne mendojmë për Lirinë, besoj të jetë një reflektim i mirë nga i tërë ekipi dhe mendoj të na vije dita të dalim shumë më të fortë dhe më të suksesshëm”, thotë trajneri Ramadani.
Ndërsa futbollisti, Kastriot Selmani u shpreh optimist, ndërsa ndeshjen e nesërme e sheh si reflektim.
“Mendoj që pas asaj disfate të pësuar, kemi stërvitur gjatë gjithë javës t’i minimizojmë gabimet dhe të reflektojmë. Besoj që ky reflektim të filloj nesër dhe nga ndeshja të dalim me tri pikë”, ka thënë Selmani.
Ndeshja FC Liria – FC Drita zhvillohet nesër e premte, ora 13:00, Stadiumi “Përparim Thaçi”, Prizren. /2LONLINE/