Mediumi britanik, ‘The Sun’, i ka lavdëruar autoritetet e futbollit në Kosovës për tentimet e tyre të jashtëzakonshme për t’i mirëpritur lojtarët dhe tifozët e ekipit kombëtar të Anglisë. Tekstin e plotë të The Sun mund ta lexoni në vijim.
Ka shumë pankarta të shpërndara nëpër Prishtinë. Në mesin e tyre është edhe një e Raheem Sterlingut ku shkruhet një mesazh që përkthehet në “Mirësevjen vëlla”, shkruan The Sun.
Vendi i vogël ballkanik planifikon të shfaqë pankarta me simbolin e lulëkuqes nesër në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja, për nder të ushtarëve britanikë, të cilët kishin qenë pjesë të koalicionit ndërkombëtar që e detyroi Serbinë të tërhiqet nga territori pas konfliktit në fund të viteve të 90-ta.
Mbi të gjitha, skuadra e Kosovës e ka lejuar Anglinë të qëndrojë në hotelin e tyre të preferuar dhe vetë janë transferuar në një hotel tjetër.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë: “Ne jemi mirënjohës për gjithçka që keni bërë për vendin tonë. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë ndeshje për t’i thënë faleminderit Anglisë dhe Britanisë”.
“Sa i përket kualifikimit, kjo s’ka ndikim te ne, por ndeshja është ende një ngjarje e madhe sportive për vendin. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për shkak të lidhjes politike mes nesh dhe Britanisë, që ishte njëra ndër vendet që na ndihmoi më së shumti gjatë dhe pas luftës. Ne kemi shumë njerëz që jetojnë në Angli. E kemi bërë më të mirën tonë t’ua japim disa njerëz shumë të mirë e të famshmë në botën e muzikës si Rita Ora dhe Dua Lipa – dhe ju e keni edhe Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin atje”, ka thene Ademi.
Lojtarët e Kosovës ishin cak i thirrjeve raciste në humbjen 2:1 kundër Çekisë të enjten, një disfatë kjo që do të thotë se Kosova mund ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian vetëm përmes play-offs.
“Ne jemi gjithmonë kundër racizmit dhe duam t’ia dëshmojnë botës të dielën se nuk ka vend për urrejtje. Ne e kemi ndierë luftën dhe racizmin. Nuk duam që askush tjetër të kalojë nëpër diçka të atillë. Unë dua t’u them anglezëve se ky vend është si shtëpia juaj. Do të ndiheni të sigurt. Unë gjithashtu dua ta uroj Anglinë për kualifikimin në EURO”, ka perfunduar Ademi.