Ministria e Zhvillimit Ekonomik, me mbështetjen e projektit të USAID-it “Repower Kosovo”, ka hapur Forumin e Tretë të Nivelit të Lartë për Energji, me temë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë”.
Sigurimi i furnizimit përmes termocentralit “Kosova e Re” dhe investimeve të tjera, mundësitë e rehabilitimit të termocentralit “Kosova B”, ngritja e kapaciteteve njerëzore në sektorin e energjisë dhe promovimi i mëtejshëm i shfrytëzimit të energjisë së pastër ishin pjesë e diskutimeve në këtë forum.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, duke folur për rolin e Qeverisë së Kosovës, tha se gjatë vitit 2017 është bërë shumë punë për ti adresuar sfidat në sektorin e energjisë. “Mendoj se sot 3 muaj i kemi dhënë një vule zhvillimit të energjisë kur e kemi nënshkruar marrëveshjen për termocentralin Kosova e Re. Teknologjia e re mundëson edhe përmirësimin e ambientit”.
Kreu i ekzekutivit theksoi se projekti i termocentralit “Kosova e Re”, i cili ofron kapacitete zëvendësuese për termocentralin “Kosova A”, është përmbyllur në vitin 2017 dhe ndërtimi i tij do t’i japë fund edhe pasigurisë në vend për furnizimin me energji.
Edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pohoi se termocentrali “Kosova e Re” përfundimisht do të mundësojë nxjerrjen nga funksioni të termocentralit të vjetëruar “Kosova A” dhe do t’i ofrojë gjeneratës së ardhshme një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë, përmes gjeneratës së re të teknologjisë së pastër nga qymyri.
“Strategjia e Energjisë ka një qasje gjithëpërfshirëse në të. Aty reflektohet edhe nevoja për të rehabilituar termocentralin “Kosova B”, duke e bërë atë plotësisht në përputhje me standardet evropiane të emetimit dhe ato mjedisore. Kështu që, në fund të këtij procesi, ai do të jetë një termocentral i ri. Qeveria do të marrë vendimin përfundimtar mbi strategjinë e financimit këtë vit”, u shpreh ministri Lluka.
Ai potencoi se Qeveria e Kosovës është duke i kushtuar vëmendje edhe çështjeve që ndërlidhen me efiçencën e energjisë, njëjtë sikurse atyre që kanë të bëjnë me burimet e ripërtërishme të energjisë.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, pohoi se viti 2017 ka qenë vit vendimtar dhe domethënës për Kosovën. Sipas tij, është shumë me rëndësi që projekti i termocentralit “Kosova e Re” të vazhdojë tutje drejt përmbylljes financiare. Mirëpo ai ritheksoi se ka ende shumë punë për tu bërë: “Kosova duhet t’i kontrollojë vetë kufijtë e energjisë në Kosovë dhe të mos lejojë ndërhyrje nga jashtë. ShBA-të do të vazhdojnë të jenë partner i juaji ashtu siç kemi qenë edhe tash”, ka thënë ai.
Ndërsa, ambasadori gjerman, Christian Heldt, theksoi rëndësinë e integrimin në tregun rajonal të energjisë dhe për rëndësinë që ky sektor ka në zhvillimin ekonomik. “Objektivë për mbështetjen gjermane në energji në Kosovë është mbrojtja klimatike dhe zhvillimi i ekonomisë. Jemi përqendruar në rrjetin e transmisionit, ku me KOSTT-in kemi zotuar 83 milionë euro dhe po mundohemi ta dërgojmë rrjetin përpara”, ka thënë Heldt.
Ishte konstatim i përgjithshëm se në vitin 2018 nevojiten edhe më shumë përpjekje për të identifikuar dhe promovuar sa më shumë projekte të reja, që të arrijmë të kemi më shumë se 300 MW fuqi të re në prodhim nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2026.
Kosova po vazhdon të mbështetet pothuajse tërësisht në lëndë djegëse të ngurta fosilore për gjenerimin e energjisë elektrike, përderisa burimet e ripërtëritshme të energjisë përbëjnë një pjesë në rritje të kapaciteteve gjeneruese të energjisë.
Dy termocentralet kryesore me djegie të linjitit, pra “Kosova A” dhe “Kosova B”, përbëjnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër e vogël e prodhimit të energjisë elektrike sigurohet kryesisht nga hidrocentralet e vogla.
Forumi i Tretë i Nivelit të Lartë për Energji, me temë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë”, u vlerësua nga të gjithë si një mundësi e mirë për institucionet relevante, që të diskutojnë për sfidat me të cilat përballet sektori në zbatimin e Strategjisë së Qeverisë për Energji, por edhe për të debatuar rreth çështjeve aktuale me rëndësi për sektorin e energjisë elektrike.
Si pjesë e këtij forumi, ekspertët e projektit “Repower Kosovo” shpalosën edhe problemet kryesore me të cilat do të ballafaqohen palët kyçe të interesit në sektorin e energjisë elektrike në të ardhmen e afërt, duke vënë në pah fushat e mbështetjes aktuale të USAID-it. Kurse, Zyra e Rregullatorit të Energjisë prezantoi edhe rolin i vet në miratimin dhe monitorimin e investimeve kapitale.
Gjithashtu, punën e saj rreth mirëmbajtjes së njësive operative, rehabilitimit të termocentralit “Kosova B”, shthurjes dhe Planin Zhvillimor për minierën e re e shpalosi edhe Korporata Energjetike e Kosovës.
Pjesë e forumit ishin edhe dy fokus grupe me ekspertë, ku grupi i pari diskutoi mbi investimet në infrastrukturën e ndërlidhur me energjinë konvencionale, ndërsa i dyti trajtoi investimet në burimet e ripërtritshmë të energjisë.