Ish-Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Mexhit Devaja, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për humbjen e sekretarit gjeneral, Izet Gjinovci, i cili ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare.
Në një mesazh prekës përkujtimor, Devaja shkroi: “Është e dhimbëshme të shkruaj fjalë mortore për ty miku im Izet, ishe shok, mik e udhërrëfyes i rrugëtimit tonë 25 vjeçar. Ndihem i pikëlluar por shumë krenar e i lumtur që ishe pjesë e jetës sime. Pusho i qetë miku im!”.
Përndryshe, Federata e Hendbollit e Kosovës ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.
Postimi i plotë nga Federata e Hendbollit e Kosovës
Ndërroi jetë Izet Gjinovci, simboli i hendbollit kosovar
Hendbolli kosovar ka mbetur pa personalitetin e shquar të tij. Të hënën ka ndërruar jetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.
Gjinovci ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare.
I ndjeri Gjinovci ia ka kushtuar gjithë jetën sportit të hendbollit. Detyrat e tij si sekretar i përgjithshëm i ka kryer me përkushtim e pasion shembullor deri në frymën e fundit.
Kontributi i tij për zhvillimin e hendbollit kosovar është kolosal.
Pas karrierës së suksesshme si hendbollist i Prishtinës, i ndjeri Gjinovci mori drejtimin e klubit prishtinas. Ka sakrifikuar shumë për ta udhëhequr klubin me sukses, ndërsa në një periudhë e kishte shkrirë gjithë pasurinë për mbarëvajtjen e klubit.
Ka kontribuuar në pavarësimin e sportit kosovar, ndërsa në vitet nëntëdhjeta, kur sporti kishte misionin e kundërvënies ndaj pushtuesit, është shquar me angazhimin e pandalshëm. Ishte pjesë e organizimeve të rëndësishme të hendbollit dhe pjesë e pandashme e tij.
Prej vitit 2002 e deri në ditën e fundit të jetës e ka kryer me sukses të plotë punën e sekretarit gjeneral të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ka udhëhequr procesin e lobimit ndërkombëtar, së bashku me presidentin e nderit të FHK-së, Mexhid Devaja. Suksesi ishte madhështor.
Që në vitin 2004, një dekadë para sporteve tjera ekipore, FHK-ja u pranua me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit. Klubet kosovare e fituan të drejtën e paraqitjes në gara evropiane dhe kontributi i Izet Gjinovcit në këtë proces ishte i madh.
Më pas, së bashku me presidentin e FHK-së, Eugen Saraçini, kanë udhëhequr procesin e pranimit të plotë në EHF e IHF. Edhe ky proces u përmbyll me sukses të plotë. FHK-ja u pranua e para prej federatave të sporteve kolektive.
Raportet e të ndjerit Gjinovci me komunitetin e hendbollit në vend ishin shembullore. Ai është vlerësuar e është çmuar në secilin mjedis ku është paraqitur. Edhe raportet me drejtues të IHF-së e EHF-së dhe të federatave tjera nacionale i kishte të shkëlqyera. Është dalluar për karizmën që i ka mundësuar qasje në nivelet më të larta të hendbollit ndërkombëtar. Prej 23 prillit të vitit 2021, Gjinovci ishte anëtar i Gjykatës së Apelit të EHF-së.
Në këtë organ të rëndësishëm ishte zgjedhur me votat e anëtarëve të Kongresit të EHF-së. Ishte prej më të votuarve dhe kjo dëshmon për respektin që ka gëzuar në nivelet ndërkombëtare të hendbollit.
I ndjeri Gjinovci ka kontribuuar në zhvillimin e hovshëm të ekipeve tona kombëtare, dy kualifikimet historike në Botëror dhe arritjen në nivele gjithnjë e më të larta me Kombëtaret A.
Bashkëpunimin me federatat tjera të vendit dhe me institucionet shtetërore e kishte të shkëlqyer. Dyert i ka pasur të hapura në çdo vend falë punës së madhe që e ka kryer.
Me ndarjen nga jeta të Gjinovcit, hendbolli kosovar dhe FHK-ja kanë mbetur pa një shtyllë shumë të rëndësishme.
FHK-ja i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes shumë të nderuar Gjinovci. /2LONLINE/