Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën sot në takim lamtumirës ambasadorin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.
Në prag të përfundimit të mandatit diplomatik, ministri Maqedonci e dekoroi ambasadorin Hovenier me Medaljen për Shërbim të Shquar.
Në këtë takim të përzemërt, ministri Maqedonci me ambasadorin Hovenier biseduan për bashkëpunimet e frytshme të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, veçanërisht në fushat e mbrojtjes dhe të sigurisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri kyç i Republikës së Kosovës, tradicionalisht dhe historikisht”, theksoi ministri Maqedonci me këtë rast.
Nga ana e tij, Gjenerallejtënant Jashari, duke ndarë mirënjohje të veçantë për ambasadorin Hovenier, theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe mbështetjes strategjike që ambasadori Hovenier ka dhënë për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm që ka ndihmuar në fuqizimin e kapaciteteve të FSK-së dhe në përmirësimin e aftësive të saj operacionale.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për zhvillimin e FSK-së në të ardhmen si dhe për synimet e avancimit të marrëdhënieve bilaterale ushtarake, duke u fokusuar në fushat e zhvillimit të kapaciteteve të FSK-së dhe fushave tjera me interes të përbashkët.
Në këto takime, ambasadori Hovenier, falënderoi ministrin Maqedonci dhe Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe angazhimin e tyre në avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. /2LONLINE/