DYLON

Ceremonia e ndarjes se Certifikatave për studentët në kuadër të Klinikës Ligjore për Mbrojtjen Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia

Ceremonia e ndarjes se Certifikatave për studentët në kuadër të Klinikës Ligjore për Mbrojtjen Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia
Avatar photo Redaksia

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përkatësisht Fakulteti Juridik, në bashkëpunim me Programin për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K) dhe të financuar nga UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, organizoi një ceremoni të veçantë për ndarjen e certifikatave për 26 studentë që morën pjesë në Klinikën Ligjore për Mbrojtjen Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia.

Në fjalën hapëse të ceremonisë, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e dhënë nga të gjithë aktorët e përfshirë. Ai vlerësoi Klinikën Ligjore si një mundësi të shkëlqyer për studentët për të zhvilluar aftësitë praktike.

EkoHigjiena

Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, falënderoi ekipet trajnues dhe mbështetës për përkushtimin e treguar në realizimin e suksesshëm të programit. Ai theksoi se përvoja e fituar nga studentët gjatë Klinikës Ligjore do t’i pajisë ata me aftësi të rëndësishme profesionale, duke kontribuar në zhvillimin e tyre personal dhe përgatitjen për tregun e punës që është e domosdoshme për një karrierë të suksesshme në fushën e drejtësisë.

Shefi i Misionit të UNHCR në Kosovë, Arjun Shrestha, ndau mendimet e tij mbi qëllimin e Klinikës Ligjore, e cila synon të ofrojë njohuri të thelluara mbi Ligjin Ndërkombëtar të Refugjatëve dhe konceptet kyçe si parimi i mos-kthimit dhe procedurat për përcaktimin e statusit të refugjatit dhe pashtetësisë. Ai theksoi rëndësinë e këtij projekti për përgatitjen e studentëve në përballjen me sfidat ligjore që lidhen me kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare.

Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, falënderoi ekipin e trajnuesve dhe partnerët për mbështetjen e dhënë në zhvillimin profesional të studentëve të Universitetit. Ajo nënvizoi rolin e Klinikës Ligjore në përforcimin e vlerave demokratike dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në shoqëri.

Manuchehr Rakhmonov nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Zhvillimit (UNDCO) dhe Memli Ymeri, Drejtor i Programit për të Drejtat Civile – Kosovë (CRP/K),  theksuan rëndësinë e përvojës pesë-javore që studentët patën gjatë Klinikës. Ata sqaruan se programi përfshiu ligjërata mbi mbrojtjen ndërkombëtare, simulime të rasteve të azilkërkuesve dhe një vizitë në Qendrën e Azilit në Magurë. Sipas tyre, këto aktivitete ishin thelbësore për zhvillimin e aftësive praktike të studentëve dhe për përforcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë dhe më gjerë.

Në emër të studentëve pjesëmarrës folën Diellze Surdulli dhe Lirak Haziri, të cilët ndanë eksperiencat e tyre personale dhe theksuan se Klinika Ligjore ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të mësuar nga ekspertët dhe për të aplikuar njohuritë e tyre në raste reale.

Studentja Eriona Shkodra ndau përshtypjet e saj mbi vizitën që grupi i studentëve zhvilloi në Qendrën e Azilit në Kosovë. Ajo përmendi se takimet dhe diskutimet me profesionistët e fushës i ndihmuan studentët të kuptojnë më mirë proceset komplekse që lidhen me mbrojtjen ndërkombëtare dhe të drejtat e refugjatëve.

Në përfundim të ceremonisë, përfaqësuesit e Universitetit dhe UNHCR ndanë certifikata për të gjithë studentët që morën pjesë në program. Të gjithë të pranishmit vlerësuan suksesin e Klinikës Ligjore si një hap të rëndësishëm për zhvillimin profesional të studentëve dhe avancimin e edukimit praktik në fushën e drejtësisë.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.