Në një ceremoni të veçantë, në Palestrën Sportive Bashkim Selishta – Petriti në Gjilan, karateisti dhe trajneri Jonuz Jonuzi është nderuar me vendosjen e portretit të tij në sallën e nderimeve.
Ky moment shënoi një rast për të përshëndetur kontributin e tij të shquar në zhvillimin e sportit të karatesë në qytetin e Gjilanit, duke vendosur themelet e këtij sporti.
Në prani të familjarëve, miqve, dhe ish-karateistëve, portreti i Jonuz Jonuzit u vendos në mesin e portreteve të shumtë të sportistëve të shquar të qytetit. Pjesëmarrësit e ceremonisë, të emocionuar dhe krenar, u fokusuan në angazhimin e Jonuz Jonuzit në hapjen e rrugës për karatenë në Gjilan gjatë një periudhe të vështirë, por të lavdishme.
Drejtori i Palestrës Sportive Bashkim Selishta – Petriti, Adnan Hoxha, në këtë ceremoni, theksoi rëndësinë e nderimit të pionierëve të sportit, duke e shpallur Jonuz Jonuzin si një nga figurat kryesore të karatesë në komunën e tyre.
“Është nder i veçantë që ne si Institucione Komunale Sportive po i nderojmë njerëzit të cilët kanë hapur rrugët e sportit në komunën tonë. Jonuz Jonuzi është një ndër figurat kryesore të sportit në komunën tonë, dhe ne do të vazhdojmë të i kërkojmë, të i hulumtojmë dhe të i nderojmë, pasi ata kanë qenë ata që hapën rrugët në shumë fusha sportive, duke e lejuar gjeneratave të ardhshme të arrin suksese kulminante në karierat e tyre sportive.”
Ndërsa, gazetari Sylejman Ismajli në fjalën e tij përshëndeti prezencën e udhëheqësit të karatesë së qytetit, duke theksuar se kjo ceremoni nuk është vetëm për të nderuar Jonuz Jonuzin, por gjithashtu për të njohur dhe vlerësuar të gjithë ata karateistë që kanë sjellë rezultate të shkëlqyera në këtë fushë.
“Është nder i veçantë që në mesin tonë sot kemi udhëheqësin e karatesë të komunës tonë. Ne sot, jo vetëm po e nderojmë ish-karateistin dhe trajnerin Jonuz Jonuzi, por po e nderojmë gjithashtu të gjithë karateistët të cilët nëpër vite kanë dhënë rezultate të shkëlqyera.”
Në fund të ceremonisë, Jonuz Jonuzi, i emocionuar, shprehu falënderimin e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugëtimin e tij dhe të sportit të karatesë në Gjilan. Ai falënderoi sidomos karateistët e vitit 1971 për përkushtimin e tyre në ndërtimin e kësaj tradite sportive.
“Ishin kohëra shumë të vështira, por vullneti ynë i ka mposhtur të gjitha sfidat që na janë paraqitur. Nga zemra, i falënderoj të gjithë ata karateistë të vitit 1971, të cilët u angazhuan me shumë dashuri duke ecur në një rrugë të gjatë për një gjysmë shekull”.
Vendosja e portretit të Jonuz Jonuzit shënon një moment të rëndësishëm në historinë e sportit të Gjilanit dhe vazhdon të përjetohet si një pasqyrë e suksesit dhe përkushtimit të shumë karateistëve. Kjo ceremoni jo vetëm që nderon figurën e tij, por edhe thekson rëndësinë e një trashëgimie sportive të ndërtuar me sakrifica dhe pasion.