(2LONLINE) – Në faqet e portaleve, agjencive të lajmeve e gazetave shqipe, në internet, po lejohet një fushatë e një shpërfaqje, e paparë ndonjëherë, e urrejtjes kundër UÇK-së! Një degradim i panjohur më parë në komunikimin publik tek shqiptarët! Disa madje, ia lejojnë vetes pjesëtarët e UÇK-së t’i quajnë serbë! Mbase s’do të ishte jashtë mundësive që disa nga këta komentues mund edhe të jenë serbë që përdorin gjuhën shqipe, si pjesë të luftës speciale kundër UÇK-së, sikur shumë nga ta, të mos e bënin një gjë të tillë edhe me profile reale personale.
Ndonëse ekziston një kategori e komentuesve anonimë nëpër portale, ka edhe të atillë që me anë të adresave të “facebook”-ut, kanë një paraqitje të njëjtë! Ndërsa kategoria e tretë janë ata të cilët shpërfaqen duke klikuar lajme të llojit “spam”, të cilat shpërndahen në sistem virusesh dhe reklamave të imponuara dhe mbeten në murin e “facebook”, është gjithashtu një kategori e mbuluar, e etur për lajme kundër UÇK-së, e cila po zbulohet herë pas here vetëm në sajë të këtyre viruseve!
Edhe pse gjëja e parë që mund të thotë dikush, për këtë katandi, është thirrja në fjalën e lirë – kjo nuk e arsyeton këtë gjendje të satanizimit të UÇK-së nga vetë shqiptarët çfarë po ndodh sot!
Të vrasësh dikë moralisht, në emër të së drejtës për fjalën e lirë, është sikur ta vrasësh dikë fizikisht, veç se e ke revolen me leje! Një fushatë e tillë, nuk është parë ndonjëherë, as në mediumet serbe.
Andaj, urgjentisht bëjmë thirrje për të ndaluar këtë degradim publik, i cili mund të ketë pasoja në çdo proces tonin të ardhshëm – në interesat e këtij vendi! Pa dashur në këtë rast të kthehemi mbrapa, për të hyrë në arsyetimin për obligimin që kemi ndaj viktimave dhe dëshmorëve të luftës!
Të implikuar në këtë përgjegjësi, më shumë se kushdo tjetër, janë:
1. Përfaqësuesit e medieve, për kontrollimin e publikimeve dhe përgjegjshmërinë ndaj opinionit publik e posaçërisht kombëtar, kur temat kanë të bëjnë me vlerat tona kombëtare, morale e historike.
2. Përfaqësuesit politikë për motivimin e këtyre fushatave, që në disa raste është thënë publikisht, nga disa prej tyre, se këto bëhen nga selitë e tyre ose të instrumentalizuara nga ta, për interesa thjesht politike. Kjo përbaltje e vlerave të UÇK-së, për interesa klanore të cilësdo partie politike, është e papranueshme për veteranët e UÇK-së.
3. Ndonëse duket si nevojë e kohës, besojmë që nuk do t’i bënte nder këtij vendi, që të kërkonim një ligj për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, dhe përdhosja e kësaj vlere të kishte implikime ligjore, pasi që respekti duhet të burojë nga dashuria, nga vullneti dhe nga arsyet e shëndosha. Por, mbase kjo duhet të kërkohet – një ligj që do t’u kërkonte partive politike dhe medieve të mos e përdorin vlerën e UÇK-së për interesa personal e përplasje ditore!
Pse dhe si po ndodh kjo fushatë kundër UÇK-së
“Spam”-et në facebook, kanë anën e tyre të mirë, për një gjë! Përmes tyre, mund të shohësh ndërgjegjen e vërtetë të disa njerëzve, në saje të interesimit të tyre të treguar, madje të përsëritur, përmes tentativave për të (për)hapur disa lajme, nga faqe të cilat po i tradhtojnë duke shfaqur në publik lajmin të cilin ata e kanë klikuar, në të shumtën e rasteve në mënyrë të përsëritur – lajme, që zakonisht lidhen me ushtarët e UÇK-së të akuzuar së fundi nga prokurori të huaja e dëshmitarë fantomë, të cilat lajme, nëpër “spam”-e në facebook prezantohen me tituj bombastikë, e me parafrazime të të ashtuquajturve dëshmitarë të mbrojtur të këtyre prokurorive të huaja.
Të kërkosh kënaqësinë nëpër lajme – të rreme gjithsesi – me tituj bombastik kundër dinjitetit shqiptar, kundër kujtdo, pavarësisht përkatësisë partiake, nuk besoj se do t’i bëjë favore njërës apo tjetrës parti, aq sa do të na dëmtojë në përgjithësi, imazhin si shqiptarë.
Të shohësh një “shqiptar”, që ka klikuar me dhjetëra herë një “spam”, me titullin bombastik si: “Dëshmitari ‘D’: E vrau Sami Lushtaku!”, tregon për frustrimin e madh që njerëz të paplotësuar nga pikëpamja patriotike kombëtare, kanë për të denigruar ose për t’i parë të denigruara figurat kombëtare, me qëllimin, siç duket të vetëm, për të gjetur aty ngushëllimin për mangësinë e tyre në këtë aspekt; për të mbuluar disi apo për të arsyetuar, me këtë fushatë, mosgatishmërinë e tyre për t’i dalë në shërbim Kosovës në kohën e luftës; për të hequr kështu komplekset personale, të cilat, pas çlirimit të Kosovës dhe pas shpalljes së pavarësisë, duket se vazhdojnë t’i mundojnë.
Edhe më ofenduese janë disa fushata a takime politike, të disa prej atyre që bëjnë pjesë në këtë kategori, të cilat mbi-titullohen sipas misioneve që marrin nga armiku i jashtëm dhe i mbrendshëm! E për të tillët, urrejtja për UÇK-në dhe gjithçka që lidhet me të.!
Nisur nga kjo, bindemi, që vetëm kësaj kategorie dezertorësh do t’i shkojë për shtati një përbaltje e vlerave të kombit tonë, të UÇK-së, që nesër, gjithsesi sipas supozimit tonë nga manifestimet e tyre, të mund të dalin, pa pasur kompleksin e mospjesëmarrjes në luftë; pa pasur kompleksin e ikjes, sikur, gjoja – ja pse nuk kemi qenë në luftë!
Por, duke qenë se luftës i është përgjigjur një numër jashtëzakonisht i vogël – edhe po ta marrim si bazë atë 50-mijëshen e aplikuesve për status, duke përfshirë ndër ta edhe kontribuuesin më të vogël, që përsëri është numër shumë i vogël, në krahasim “potencialin” tonë, e numrin e përgjithshëm të banorëve – tregon se sa e madhe është pjesa tjetër e mbetur, e cila ndjen veten nën faj për mospjesëmarrje në luftë, për ikje nga lufta, që në një cilësim më rigoroz do të quhej tradhti.
Kjo kategori e tyre, sot, është kërkuesja më e madhe e lajmeve denigruese për UÇK-në; kategoria e vetme, pos serbëve, që i gëzohet lajmeve kundër UÇK-së, e cila edhe i shpif ato. Kjo kategori po krijon përshtypje të rreme publike, me komente në rrjetet sociale dhe komente anonime nën lajmet e cilësdo agjenci informative apo gazetë, mbi cilësimin e UÇK-së.
Fatkeqësisht, përpara se të denigrojmë perceptimin publik për UÇK-në në këtë nivel, apo thënë më mirë, në këtë nën-nivel, më parë kemi degraduar në ndërgjegjen tonë dhe në etikën e komunikimit publik – në përgjegjësinë e fjalës tonë publike; në përgjegjësinë tonë për të dëshmuar të vërtetën! Këtë e bëjnë veç njerëzit që nuk kanë respekt për viktimat dhe dëshmorët e vetë – që nuk kanë frikë nga ligji dhe nga Zoti. /2lonline/
Ahmet Daku, kryetar i OVL – UÇK- së, Dega në Gjilan