Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa priti në takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, znj. Duda Balje. Në këtë takim u diskutua për aktivitetet e MPB-së në mbështetje të komunitetit boshnjak dhe Rajonit të Gores.
Ministri Mustafa e njoftoi znj. Balje se ka aprovuar kërkesën e deputetëve të komunitetit boshnjak që Pika Kufitare e Shishtavecit të jetë në funksion 24 orë.
Gjithashtu të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që nga data 20 korrik deri më 20 gusht do të hapet edhe Pika e Kalimit Kufitar Kosovë-Maqedoni në zonën që lidhë Komunën e Dragashit me Mavrovën e Maqedonisë, e gjithë kjo me qëllim të lehtësimit të lëvizjes në këtë zonë kufitare nga banorët e sidomos nga mërgimtarët për shkak të lidhjeve familjare me njëri-tjetrin.
Deputetja Balje e falënderoi ministrin Mustafa për gatishmërinë e tij për të përmbushur kërkesat e komunitetit boshnjak, dhe përkushtimin e MPB-së për ofrimin e sigurisë dhe përmisimin e jetesës për qytetarët e këtyre zonave.