Festivali “OOH” vazhdon me video-artistet Ewa dhe Simone

Festivali “OOH” vazhdon me video-artistet Ewa dhe Simone

Java e dytë dhe e tretë e Festivalit Urban të Video-Artit “OOH” nga Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi”, vazhdoi me shfaqjen e video-arteve të video-artistes polake dhe me video-artisten tjetër holandeze.

Ewa Górzna, e lindur më 1982 në Poloni, është një artiste pamore që punon kryesisht me video dhe video-instalacione. Ajo u gradua me një diplomë Masteri të Arteve të Bukura nga Universiteti Nikolaus Kopernik në Toruń, Poloni dhe Akademinë Finlandeze të Arteve të Bukura në Helsinki.
Punimet e saj janë shfaqur në ekspozita të ndryshme dhe mori çmime të shumta në disa festivale ndërkombëtare të filmit. Aktualisht ajo jeton dhe punon në Helsinki, Finlandë.

Video-artet Rënia dhe Riorganizimi të shfaqura në tre video-projektorët e vendosur në Bibliotekën e Qytetit, në Sheshin e Ri dhe në Parkun e qytetit të Gjilanit, reflektojnë mbi fenomenin e ndryshimit dhe transformimit. Dyja videot përshkruajnë një situatë ku një rend i dukshëm i plotë dhe i vendosur është riorganizuar ose paraqitur në një zhvendosje të papritur surreale. Kamera rrjedh ngadalë përmes hapësirave të qeta dhe të përsosura, për të zbuluar një element të papritur, që sjell turbullira dhe çrregullime. Rehatia sipërfaqësore është zhvendosur në territorin e panjohur.

Më pas, sikurse është bërë rregull e festivalit “OOH”, në çdo të diele, në “Kafja e Egzonit”, është zhvilluar biseda onllajn përmes skajpit, në mes të artistes polake Górzna me artdashësit. “Video për mua është vetëm një mjet për të shprehur diçka, e jo një qëllim” – është shprehur ndër të tjerash artistja polake. Ndërsa, Avni Shkodra, drejtori nga “Varg e Vi”, si nikoqir i festivalit, ka falënderuar artisten Górzna dhe njëkohësisht ka satirizuar se, “pasi nuk ka liberalizim vizash për Kosovën, rruga e vetme mbetet skajpi ose biseda onllajn, duke shpresuar që sa më shpejt të jetë artistja edhe fizikisht në Gjilan”. Shkodra në cilësinë e moderatorit të festivalit, bashkë me kuratoren holandeze Maureen Bachaus, kanë parashtruar 10 pyetje standarde për artisten, lidhur me jetën e saj dhe sfondin akademik; kur filluan me video-artet; çfarë është video-arti për të; temat që mbulojnë këto video-arte, çfarë parime ndjek, pajisjet teknike, teknologjinë; a punuaka individualisht apo në ekip; ndikimet e mundshme në punën e artistes dhe planet për të ardhmen.

Ndërsa në javën e tretë janë shfaqur video-artet e video-artistes holandeze Simone Hooymans. Hooymans e lindur më 1974, në Holandë, jeton dhe punon që prej 6 (gjashtë) vjetësh në Qendrën apo Rezidencën Kulturore të “AiR Kunstnarhuset Messen” në Ålvik, Norvegji. Ajo u diplomua nga Akademia e Arteve për Artin Pamor në Arnhem (HL); me diplomë masteri nga Akademia e Arteve Breda (HL). Hooymans mori pjesë në shumë ekspozita grupore ndërkombëtare dhe festivale filmi. Ajo mori kohët e fundit çmimin “Honorable Mention Award” në Kortfilmfestivalen në Grimstad. Simone krijon animacione eksperimentale, të bazuara në një botë të vizatuar me dorë, të përziera me teknikat e animacionit dixhital për të bërë tablo apo peizazhe të pakapshme dhe akoma bezdisëse. Puna e saj është bërë në shtresa, fizike dhe metaforike, duke përfshirë imazhe që janë shpesh të zbërthyera nga njëra-tjetra, por krijon një pamje të tërë. Puna e Simones zhvillohet nga interesi i saj në idetë ambientaliste rreth gjendjes së tokës dhe lidhja njerëzore me natyrën. Por gjithashtu një pikëpamje politike shfaqet në animacionet e saj.

Edhe Hooymans u paraqit në bisedën onllajn me artistët, përmes skajpit. Ajo foli për punën e saj, frymëzimet dhe jetën artistike në Holandë e Norvegji. “Ndër temat kryesore të preokupimit tim është mjedisi, por jo në atë mënyrën klishe të paraqitjes së dukurive si apokalipsi apo kataklizma” – është shprehur Hooymans. Ajo ka treguar edhe për rolin e muzikës në futjen e video-artit, mënyrat e ruajtjes së sigurt të video-arteve, rolin e kompanive e instituteve që arkivojnë video-artet etj. Java e fundit e qershorit në festivalin “OOH” do të jetë për video-artet e artistit nga Izraeli, Gili Avissar dhe ku më 30 qershor do të zhvillohet edhe biseda me të.

KOMENTE