Shkruan: Skender Berisha
Shqetësim dhe obligim për prindërit që fëmijët duhet dërguar në shkollë. Por aty nuk e përfundon gjithçka. Pas dy tri orësh duhet patjetër të jenë para dere për t’i marrë mbrapsht.
Këtë përvojë nuk e kanë ndjekur secila familje, ngase fëmijët e tyre janë rritur ose kanë përfunduar shkollën para luftës, dhe frika nga komunikacioni i dendur nuk ka qenë sikurse tani.
Sot, në një atmosferë krejt ndryshe, me një jetë dinamike, ku gjithçka po zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar, duke iu shtuar njëkohësisht edhe rreziqet, prindërit kanë një obligim për t’iu përshtatur kësaj maratone, sepse ngecjet do të kenë pasoja në ardhmërinë e fëmijëve të tyre.
Çështja e dërgimit dhe marrjes së fëmijëve të tyre nuk do të ishte problem kaq i madh po të mos shtohej edhe problemi i parkingjeve pranë shkollave. Gjithmonë flasim për shkollat fillore.
Mungesa e parkingjeve pranë shkollave shkakton rrëmujë në komunikacion, dhe asnjëherë ky problem nuk diskutohet në asamblenë komunale për t’i dhënë përgjigje adekuate.
Prindërit në vazhdimësi janë të revoltuar kur janë pranë shkollës. Ata vendosin të parkojnë ku të munden për pak minuta deri në dergimin apo marrjes së fëmijëve të tyre. Në raste të ndryshme pasojnë edhe gjobat nga Policia e Kosovës.
Kjo mundësi e kufizuar e parkingjeve për kohë të caktuar duhet të adresohet dhe t’i ipet zgjidhje një problemi kaq elementar dhe i domosdoshëm për qytetarët anembanë Komunës së Gjilanit dhe më gjerë.
Komuna e Gjilanit duhet të jetë e para Komunë në zgjidhjen e këtij problemi, dhe një hap pozitiv në këtë drejtim do të jetë shembull edhe për komunat e tjera në Kosovë. /2LONLINE/