“Vetë fjala derbi do të thotë që është një ndeshje e veçantë, e rëndësishme për moralin e skuadrës dhe shume ndeshje speciale për tifozët tanë”, ishin fjalët e trajnerit, Ardian Nuhiu, në konferencën për media para derbit lokal, SC Gjilani – FC Drita.
Kryetrajnerii Dritës, Nuhiu vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar se futbollistët e Dritës kanë motivin për të bërë maksimumin.
“Na pret një skuadër me eksperiencë, ka futbollistë cilësorë dhe këtë vit vështirë është thyer apo ka humbur. Sot te skuadra ime kam parë motiv të vecantë për këtë ndeshje, sepse duan ta fitojnë dhe t’i bëjmë krenat tifozët tanë “Intelektualët”, për të cilët e dijmë sa ka vlerë kjo ndeshje. Duhet të bëjmë maksimumin dhe me të gjitha forcat dhe futbollistët që kemi në dispozicion duhet t’i përdorim e të dalim fitues”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, futbollisti Arbnor Muja theksoi se vetëm fjala derbi është motiv i ndeshjes dhe pret që pavarësisht mungesës së tyre fizike, t’i gëzojnë tifozët nga larg.
“Vetëm fjala derbi për ne është motiv në këtë ndeshje. Kemi pasur mjaftueshëm kohë ta përgatisim ndeshjen dhe mendoj se jemi përgatitur aq mirë që nesër të dalim me rezultat pozitiv. Tifozët “Intelektualët” janë motiv shtesë, ata janë fuqia jonë dhe lojtari ynë i 12-të. Mendoj që është një vendim pak i padrejtë në këtë rast dhe mungesë e madhe, por ky vendim nuk është në kompetencën tonë. Prandaj, shpresoj që nesër t’i gëzojmë me fitore edhe pa praninë e tyre në stadium”, ka thënë Muja.
Sa i përket rezultateve në derbit e fundit, kryetrajneri Nuhiu theksoi se Drita ka treguar ndeshje të mira dhe pret fitore nesër.
“Kemi mësuar nga ato ndeshje, mendoj se kemi qenë më lartë se kundërshtari, por në futboll jo gjithmonë fiton ai që luan më mirë. Kjo është sfidë në vete, ndeshje krejtësisht tjetër, jam munduar të përgatis ekipin dhe besoj që secili që do të dal në fushë do të bëjë maksimumin. Në këtë derbi pavarësisht kush i udhëheq klubet interesimi do të jetë i njejtë dhe do të ngel bukuria e futbollit kosovar”, potencoi Nuhiu.
Në konferencë u diskutua mungesa e tifozëve të të dyja skuadrave, për cka u tha se është “mëkat që ky derbi i rivalizuar të zhvillohet në një ambient të tillë pa tifozë, do të ishte shumë e bukur të lozim me tifozë pavarësisht klasifikimit do të ishte një spektakël në tribina dhe në fushë, sepse të dyja skuadrat kanë futbollistë shumë cilësorë. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe t’i bëjmë krenarë tifozët tanë”, ka thënë Nuhiu.
Ndërkaq, për suksesin që FC Drita për të tretin vit me radhë do të jetë pjesëmarrëse në garat në Evropë nën udhëheqjen e trajnerit, Ardian Nuhiu, theksoi se futbollistët janë aktorët kryesorë.
“Jam krenar për punën që kemi bërë, gjithmonë në mbështetje të presidentëve dhe udhëheqësve të klubit. Gjithmonë e kam theksuar që më meritorët janë futbollistët, sepse ata janë aktorët kryesorë që shprehen në fushë. Për mua është e rëndësishme që skuadra të tregojë stabilitet dhe të ecë mirë. Kjo më intereson më tepër, përgatitemi dhe vazhdojmë punën tonë në mënyrë që të kemi sukses në vazhdimësi”, përfundoi Nuhiu.
Ndeshja e xhiros së 33-të, SC Gjilani – FC Drita zhvillohet nesër, e mërkurë, ora 15:00 stadiumi me bari sintetik (te rrethi) në Gjilan. /2LONLINE/