Aftësitë e “krahut të luftës” në terrenin politik, tashmë janë të kufizuara si kurrë më parë. Mbahet mend për papjekuri politike, arrogancë dhe ndotje të terrenit politik, në të cilin institucionet tona mezi mbahen në këmbë. E kaluara është dëshmitare se nuk ka mundur të funksionojë as lidhja e ”krahut të paqes” (LDK), me një pjesë të këtij “krahu të luftës” (PDK). Gjithashtu jemi dëshmitarë edhe të mos funksionimit të koalicionit të fundit qeveritar.
Shkruan: Mirishahe LIMANI HILER
Pse nuk ka funksionuar asnjëra? Sepse, duke e lënë anash paaftësinë e bashkëveprimit politik, çdo “provim” që duhej të kalonte Kosova në skenën kombëtare e ndërkombëtare, ata i ka gjetur të papërgatitur. Kanë vepruar pikërisht ashtu siç bëjnë nxënësit e dobët në minutat e fundit para provimit.
Kemi një përjashtim që gjatë dy viteve të fundit, ku thuajse qëllimisht ishte krijuar një koalicion që do të zbulonte botërisht planet që rrezikonin integritetin e shtetit. Është bërë përpjekje në një klimë jashtëzakonisht të tendosur politike brenda qeverisë, që megjithatë Kosova të vlerësohet pozitivisht në arenën ndërkombëtare për afirmimin e identitetit të saj, me krijimin e Forcave të Sigurisë dhe vënien e taksës 100 për qind ndaj dy shteteve të Ballkanit, të cilat e luftojnë ekzistencën e Kosovës edhe në paqe.
Shumica e gjërave që sot e ndryshojnë reliefin e Kosovës, prej dekadës së parë të pasluftës, janë obligime të kryera me ritëm tejet të ngadaltë, e jo ato detyra që votuesit kosovarë ua kanë besuar shërbyesve të tyre.
A do të bëjë nesër opozita kosovare “mrekulli”? Sigurisht që jo. Jo, sepse çdo hap që ajo ka filluar ta hedhë së bashku kundër qeverisjes së keqe, ka ngecur në vend dhe asnjëherë nuk ka arritur ta bëjë hapin e dytë së bashku, pavarësisht se shoqëria kosovare mbante shpresë. Lirisht mund të themi, bazuar nga praktika, se në Kosovë nuk ekziston asnjë formacion politik në krahun e opozitës që nuk pretendon udhëheqjen e shtetit. Kjo konfirmohet thjesht. Çdo përpjekje e përbashkët protestuese ka zgjatur vetëm sa “qelë e mshelë sytë”. Në horizont nuk duket asnjë vazhdimësi e përbashkët serioze.
Cili formacion politik aktual, i vetëm ka aftësi të drejtojë shtetin dhe cili do të duhej të qëndronte me dëshirë opozitë e cilitdo koalicion udhëheqës? Asnjë. Po që se VV qëndron tek krahu i majtë politik, edhe pse në brendinë e saj ka përplot ngjyra të krahut të djathtë, duke pasur shqetësim të parë mirëqenien sociale të qytetarëve kosovarë, nuk do të lejonte që prioritetet e programit të saj të “koklaviten me ëndrrat shekullore të të gjithë shqiptarëve”. Mirëpo, përpjekjet e saj në “menaxhim të shtetit” ende nuk janë të filtruara, jo vetëm si pasojë e një nacionalizmi të tepruar që në shtetet evropiane shihet më shumë si “mbyllje në vetvete”, por edhe si definicion i gabuar i patriotizmit modern. Përderisa nacionalizmi dhe patriotizmi nga kënde të ndryshme trajtohen njëjtë, pjekuria politike e cilitdo formacion politik kosovar mbetet në pritje.
Edhe LDK beson në potencialin e saj, të cilin e ka vënë në sipërfaqe të dukshme kësaj here, mirëpo duke mos e lënë krejtësisht të lirë këtë potencial, memoria kolektive vetvetiu rikthehet në të përkujtuarit e një përvoje të hidhur të saj, e cila është shumë e afërt, fatkeqësisht.
Sido që të jetë, Kosova duhet të bëhet me atë që ka dhe jo me atë që do t’i duhej.
A janë AAK, LDK, PSD e VV, formacione politike që mund ta shpëtojnë Kosovën, mund të thuhet se po. Po, vetëm atëherë kur ato ta kthejnë kokën mbrapa e të shohin ç’rrugë kanë bërë deri më sot e duke vënë në jetë lindjen e një force të re, një elan të ri politikë-bërës që do të mban emër të ri, njëkohësisht në skenën ndërkombëtare dhe brenda shtetit të tyre.
Ato duhet patjetër kësaj radhe ta bëjnë një veprim të tillë, sepse ka ende në Kosovë prej atyre që mund të krijojnë hapësirë e frymë krejtësisht të re, duke bashkëvepruar aty ku janë.
Koalicioni AAK-PSD janë lindje e re mbi një qasje kyçe të përbashkët në “deminimin” e fushës që rrezikon shtetin nga brenda dhe jashtë. Domosdo edhe opozitës aktuale të Kosovës i duhet një lindje.
Shoqëria kosovare duhet ta kuptojë se “show” me tepihun e kuq në Prishtinë dhe marifete tjera të tilla që liderët i bëjnë njëri-tjetrit në Kosovë, jo pa qëllime të caktuara, nuk zë vend me asnjë shkronjë në mediat perëndimore. E tëra kjo mbetet vetëm një “buzëqeshje e ngirë” brenda kufijve shqiptarë. Po ashtu, “kërcënimet” apo “mirënjohjet” nga “odat” e tyre që i drejtohen Bashkësisë Evropiane, janë më se qesharake dhe këtë e dimë të gjithë.
Na pëlqen që dashuria e shprehur ndaj Kosovës me aq “zë e flakë që qesim prej goje” të shihet e të dëgjohet nga veshët e BE-së. Ajo, fatkeqësisht ka shumë punë e probleme më të mëdha se sa Kosovën kësaj here. Ne u duartrokasim “fjalimeve të zjarrta” për ta kënaqur edhe egon tonë.
Se a do të mësohemi të drejtojmë gishtin nga vetja dhe të ikim njëherë e përgjithmonë nga roli i viktimës, është kohë e fundit ta bëjmë këtë.
Kosova sot mund të bëhet vetëm me atë që ka e jo me atë që do të duhej të kishte. Prandaj “mrekullia“ nuk ndodhë duke u krahasuar, por duke e njohur veten tënde dhe ritmin tënd të ecjes në çdo kohë, qoftë me diell apo në shi e furtunë.