(2LONLINE) – Punëtorë të ish ndërmarrjeve shoqërore në rajonin e Gjilanit kanë protestuar të enjten kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për të kërkuar të drejtat e tyre. Aziz Azizi kryesues i këshillit organizativ të protestës ka fajësuar kryesisht AKP-në për gjendjen e punëtorëve dhe në bazë të kësaj sipas tij protesta është e vetmja rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre në këtë drejtim.
Ai ka thënë para masës së tubuar se kanë zgjedhur rrugën e protestës për të sensibilizuar opinionin e gjerë, por edhe strukturat udhëheqëse komunale e shtetërore lidhur me kërkesat e tyre të cilat tan ie 10 vite pas procesit të privatizimit nuk po munden ti realizojnë
Sipas Azizit, punëtorët e ish ndërmarrjeve shoqërore kërkojnë pagesën e pagave të papaguara për vendet e humbura të punës, si rezultat i shpalljes së tyre si tepricë teknologjike, krejt kjo konformë ligjit.
Po ashtu kërkohet nga AKP dhe Komisioni i Likuidimit zbatimi urgjent i vendimeve të plotfuqishme gjyqësore lidhur me njohjen e të drejtave të pagave të realizuara e të papaguara nga ish ndërmarrjet ku kanë punuar , të cilat tani e tetë vite nuk po ekzekutohen.
Kanë kërkuar ndër tjerash edhe ndarjen e parave apo 20 përqindëshin e tyre, në mënyrë të drejtë dhe në bazë të ligjeve në fuqi. Ata gjithashtu kërkuan nga Parlamenti i republikës së Kosovës një fond social nga fondi i likuidimit i cili do të mbetet pas pagesës së obligimeve ndaj punëtorëve.
Po ashtu është kërkuar nga parlamenti nxjerrja e një ligji me të cilën do të pensionohen punëtorët e mbetur pa punë në procesin e privatizimit të cilët janë mbi moshën 50 vjeçare.
Po ashtu është kërkuar edhe krijimi i një komisioni hetimor për të rishikuar të gjitha kontratat e shitjes , e jo të mbyllen fabrikat e të ndërtohen supermarkete depo e banesa..
Po ahut është kërkuar nga Qeveria e Parlamenit që sa më shpejtë të zgjedh kryesuesin e Bordit të AKP-së dhe përmbushjen e obligimeve ligjore ndaj punëtorëve , ashtu që në çdo procedurë të fondit likuidues për çdo ndërmarrje të caktohet përfaqësuesi sindikal i asaj ndërmarrje.
Përndryshe, Azizi ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk fillojnë të realizohen sa më shpejtë atëherë mund të priten edhe protesta tjera të përditshme duke mos përjashtuar as format tjera të shprehjes së pakënaqësisë.
Më pas, edhe sindikalistët e ndërmarrjeve konkrete kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre të cilat, sipas tyre janë legjitime . Njëri ndër ta bajram Halili, nga NSHT “28 nëntori”, ka thënë se po protestohet pasi të drejtat e tyre nuk po realizohen. Ai tha se askush nuk do të donte të protestohej por kanë dl aso në këtë protestë pasi iu është imponuar nga neglizhenca dhe injorimi kërkesave të tyre nga zyrtarët e AKP-së., të cilët me qëllim nuk duan ti kryejnë punët e tyre sipas ligjit, nga shkaku se sa të shtyhet ky proces aq më mirë për ta, ngase po shpërblehen me paga shumë të larta, në kurriz dhe djersë të punëtorit.
Halili tha se nuk po kërkohet lëmoshë por të drejta që u takojnë me ligj, kërkesat e tyre nuk kanë karakter politik , por thjesht janë me karakter social që lehtësisht zgjidhen, sepse mjetet ekzistojnë por mungon vullneti dhe angazhimi i zyrtarëve të AKP-së.
Ai i ka përmendur të gjitha obligimet që i ka AKP ndaj kësaj Organizate, përkatësisht punëtorëve të kësaj ish ndërmarrje, duke kërkuar zgjidhje konkrete e jo më letra boshe e premtime të kota.
Halili tha se të gjitha këto kërkesa që po shpalosen këtu në këtë protestë është dashtë të zgjidhen qysh para shtatë viteve. Nëse AKP, brenda pak ditësh, nuk ndërmerr asgjë në këtë drejtim, punëtorët janë të detyruar që të vazhdojnë me protesta, madje edhe të përditshme.
AI tha se është bërë boll më me premtime boshe, nuk do të lejojnë të luhet më me djersën e tyre dhe ka kërkuar zgjidhje që të mos radikalizohen veprimet e këtyre protestuesve, kërkesat e të cilëve janë plotësisht legjitime.
E, fjalime të tilla kanë mbajtur edhe sindikalist të ish ndërmarrjeve tjera shoqërore. /2lonline/