Na ka ndodhur edhe më parë gjatë historisë që t’i injorojmë rrethanat e pafavorshme gjeopolitike dhe rrezikun imanent nga jashtë, e të përqendrohemi në luftën e brendshme kundër pabarazisë së klasave/kastave shoqërore dhe fenomeneve të lidhura me te si: korrupsioni, familjarizimi, zhvatja dhe zaptimi i institucioneve qeverisëse.
Shkruan: Arsim Kastrati – 2LONLINE.com
Rregullimin e brendshëm ligjor dhe demokratik, vetëm i padituri dhe i padrejti s’e do, por në atë ditë kur agresori i jashtëm rri me një këmbë brenda territorit tënd, ku ti me të drejtë dëshiron rend e ligj dhe demokraci, atë ditë përparësi ka rreziku i jashtëm.
Për më tepër këtë luftën për barazi shoqëro-ekonomike, të shumtën e rasteve e kemi bërë së bashku me misionarët e agresorëve të jashtëm (fqinjët tanë), të cilët na kanë “mësuar” se si ti luftojmë padrejtësitë në mesin tonë.
Kështu u kemi dhënë përparësi çështjeve socio-ekonomikë ndaj çështjes madhore nacionale, kështu nën petkun e ideologjive supranacionale u kemi shërbyer agresorëve dhe pushtuesve të jashtëm, kështu shpesh disa drunjë të shtrembër në malin tonë “nuk na kanë lanë me i pa” bjeshkët prapa shpinës së tyre.
Sot një Dritan që ka dalë nga gjiri i popullit tonë, është në pozicion të shkëlqyeshëm për ti mbrojtur interesat politike të Shqiptarëve dhe të Malazezëve, për ta ruajtur orientimin politik pro perëndimor të Malit atë Zi dhe për ta fuqizuar paqen në Ballkan.
Ai duket se ka zgjedhur që së bashku me forcat politike pro serbe ta luftoj keq qeverisjen në Mal të Zi. Ja nuk di, ja nuk do, që të angazhohet për interesat e Shqiptarëve, Malazezëve dhe për paqe në këtë anë të Europës.
Mbase nuk di, nëse nuk e sheh që Kisha Pravosllave Serbe, politika serbe dhe ajo pro serbe do ti kenë vetëm farsë e fasadë fjalët mbi drejtësinë dhe demokracinë sepse Serbia kurrë nuk ka qenë shtet demokratik dhe shumicën e herëve nuk e ka pa me sy të mirë ekzistencën e shtetit të pavarur të Malit të Zi.
Mbase Dritan Abazoviqi nuk do, apo mbase edhe nuk di, kur nuk e ditka që Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, që fliste shqip e luftonte për lirinë dhe mëvetësinë e trojeve Arbërore/Shqiptare, nuk ka si të ketë qenë Serb.
Sidoqoftë nuk është hera e parë që djemtë tanë joshen apo habiten prej dhuratave dhe tregimeve provizore të agresorëve të jashtëm.