Në “Takimin e madh të Anamoravës“, të organizuar nga Liga Shqiptare në Botë, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare të Zvicrës dhe “Gazeta e Alpeve”, ku pjesëmarrës ishin edhe personalitete të ndryshme nga sfera të ndryshme jetësore dhe profesionale, nga vende të ardhura nga e gjithë bota, foli edhe nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku.
Ajo tha se është një nder i veçantë të jetë mes tyre, në këtë takim të rëndësishëm panshqiptar, ku diskutohet për tema që prekin rrënjët dhe zemrën e qenies sonë kombëtare: historinë, integrimin dhe identitetin.
“Në emër të kryetarit të komunës Alban Hyseni ju dëshiroj mirëseardhje në kryeqendrën e Anamoravës, në Gjilan, ku takohen vargmalet e Karadakut me Gollakun dhe i zgjasin dorën Preshevës dhe Shkupit, pikërisht në fshatin Përlepnicë në resortin Vali Ranch, të udhëhequr nga presidenti i bordit të rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare në Zvicër, afarist e filantropit Fehmi dhe Sara Fetahi”, tha Morina Bunjaku.
Më tej ajo shtoi se historia jonë është një udhërrëfyes i pashoq. Përmes saj, ne njohim rrugëtimin e popullit tonë, sakrificat dhe sfidat që kemi kaluar për të ruajtur dinjitetin dhe lirinë tonë kombëtare. Anamorava, si një pjesë thelbësore e këtij rrëfimi, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rezistencën dhe zhvillimin e kombit shqiptar. Duke kujtuar dhe respektuar këtë histori, ne ndërtojmë një urë të fortë drejt të ardhmes sonë.
Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se integrimi është një sfidë dhe një mundësi njëkohësisht. Shqiptarët, kudo që ndodhen, kanë një detyrë të dyfishtë: të ruajnë identitetin tonë kombëtar dhe, njëkohësisht, të integrohen në shoqëritë moderne evropiane e globale. Ky integrim nuk duhet të na dobësojë, por të na forcojë duke sjellë vlerat dhe traditat tona në një botë që kërkon bashkëpunim dhe dialog.
“Së fundmi, identiteti ynë është ai që na bën të veçantë. Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi gjuhën, kulturën dhe traditat tona të lashta, të cilat kanë mbijetuar përmes shekujve. Detyra jonë sot është ta ruajmë këtë trashëgimi të vyer dhe ta përcjellim te brezat e rinj. Në këtë rrugëtim, duhet të jemi krenarë për atë që jemi, duke mos harruar asnjëherë rrënjët tona”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, tha se le të angazhohemi të gjithë për të forcuar lidhjet mes nesh, të punojmë për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe të përparojmë si një komb i bashkuar, krenar dhe i fortë. /2LONLINE/