Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për përcaktimin e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve. Këtë do ta determinojë edhe takimi i paralajmëruar i liderëve politikë, i cili pritet të mbahet gjatë kësaj jave.
Partitë opozitare qëndrojnë të palëkundura në qëndrimin që zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në qershor. E për t`u arritur kjo ata paralajmërojnë edhe mundësinë e rrëzimit të qeverisë.Partitë opozitare në asnjë mënyrë nuk duan që zgjedhjet të shtyhen deri në shtator.
Paralajmërimi se votimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk do të ndodhë deri në fillim të javës së ardhshme, rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, meqë as këtë javë nuk do të ketë mundësi të shpërndarjes së Kuvendit, gjë kjo që i pamundëson Presidentes së vendit të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Por, partitë opozitare qëndrojnë të palëkundura në qëndrimin që zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në qershor. Për t’u arritur kjo ata paralajmërojnë edhe rrëzimin e Qeverisë në mënyrë që zgjedhjet të mos shtyhen deri në shtator, transmeton RTK.
“Kur të mbahen zgjedhjet, ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, tha për RTK-në, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Ndërsa, Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se do të shkohet në mocion mosbesimi, nëse Parlamenti nuk shpërndahet vullnetarisht.
“Ne së pari kërkojmë të zbatohet një agjendë për të cilën kemi biseduar të shpërbërjes së Parlamentit, nëse ka vullnet dhe gatishmëri. Nëse ky variant apo kjo formë nuk kalon, ne kalojmë në tjetrin variant, që është po ashtu mocioni”, tha Beqiri. Mocionin e mosbesimit për Qeverinë aktuale kaherë e ka iniciuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por kjo iniciativë nuk gjeti mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës në Kuvend.