Koordinatori i Task Forcës për aksionin “Ta pastrojmë Kamenicën”, Faton Jakupi, është takuar me kryetarët e këshillave lokale, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme si dhe me kompanitë private.
Ky takim kishte për qëllim mobilizimin e gjithë akterëve të Komunës së Kamenicës dhe sqarimit të ecurisë së këtij aksioni që do të fillojë nesër në gjithë territorin e Kosovës.
Kompania për mirëmbajtjen e rrugëve lokale “EL Bau” dhe kompania për mirëmbajtjen e rrugëve regjionale “Jaha Kompani” kanë shprehur dëshirën që në aksionin e ditës së nesërme të punojnë vullnetarisht.
Gjithashtu dy kompanitë e tjera që do të ndihmojnë në baza vullnetare janë SHPK Global Projekt dhe Fortuna SHPK. Këto kompani kanë ofruar në shërbim të komunës të gjitha mjetet teknike në mënyrë që puna të kryhet sa më mirë.
Ditën e nesërme aksioni do të filloj zyrtarisht në Komunën e Kamenicës dhe 17 zonave që task forca i ka identifikuar.
Takimi i kryetarit Kastrati, Task Forcës, Zyrtarëve Komunal, vullnetarëve, qytetarëve, OJQ-ve dhe të gjithë atyre që do t’i bashkëngjiten këtij aksioni, do të bëhet para objektit të ri të Komunës me fillim nga ora 09:30, ndërkaq aksioni për pastrim do të fillojë nga ora 10:00 në Kamenicë dhe gjithë territorin e Kosovës.
Nëpër fshatra aksioni do të fillojë në ora 10:00 para objekteve shkollore të secilit fshat.