Dr Salihe Mustafa drejtoresh e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF) në Gjilan, ka thënë se ky institucion shëndetësor në bashkëpunim me mjekët e kontingjentit turk të KFOR-it në Prizren, kanë organizuar ceremoninë e synetisë për 20 fëmijë të familjeve me gjendje të vështirë sociale.
Mustafa, tha se bashkëpunimi me Batalionin turk të KFOR-it në Kosovë, është më i hershëm dhe ata, pos misionit të tyre paqësor, kanë kryer në Gjilan edhe aktivitete humanitare, siç është edhe synetia për fëmijë të familjeve me gjendje të vështirë.
“Përzgjedhja e fëmijëve për syneti, që tashmë është bërë traditë me KFOR-in turk, është bërë në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe komunitetin, ku janë identifikuar rastet sociale”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa Xhemajl Salihu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se edhe komuniteti turk në Gjilan, ka merita të veçanta për ndërtimin e këtij relacioni të mirë me KFOR-in, i cili këtu po kryen këtu shërbime syneti tash e disa vite, duke i lehtësuar familjet nevojtare.
Paqeruajtësit turq në Kosovë iu kanë siguruar fëmijëve të përzgjedhur, edhe rroba të veçanta për ceremoni të këtilla, si dhe dhurata tjera./2lonline/