Sot mbushen 23 vjet kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës në Kosovë.
Me rastin e këtij përvjetori, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur mirënjohje të thellë për Aleancën Veri atlantike të NATO-së, ShBA-të dhe gjithë shtetet mike që ishin pjesë të kësaj aleance.
Gjithashtu një falënderim të veçantë për komandën e KFOR-it dhe ushtarët që janë në mision paqeruajtës në Kosovë. Fushata e bombardimeve të NATO-së që vazhdoi për 78 ditë me radhë, pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.
I dërguari amerikan atëbotë, ish-ambasadori Richard Holebrooke, kishte bërë përpjekje deri në çastet e fundit, para se t’i raportonte sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se misioni i tij kishte dështuar. “Procesi tash u kthehet simbolikisht dhe formalisht juve.
Tash është çështje e NATO-s. Dua të them se kanalet diplomatike do të mbeten të hapura.
Por, misioni ynë, ai që e përmbyllëm disa orë më parë, nuk duket të prodhojë ndonjë lëvizje, prandaj presidenti Bill Clinton dhe sekretarja Albright na kërkuan të kthehemi”, kishte deklaruar Holebrooke. /2LONLINE/