Sot, në mbledhjen e 99-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me propozim të Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u miratua Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Në këtë ligj përfshihen masat mbrojtëse të cilat do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg; shkaqet e caktimit të këtyre masave; mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshi në këtë ligj.
Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme te çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.
Produkte themelore në kuptim të këtij ligji janë: Drithërat, Miell gruri, Buka, Orizi, Pastat, Vaji ushqimor i lulediellit, Qumështi, Kripa e kuzhinës, Vezë pule, Mishi i pulës, Sheqeri kristalor, Produktet e higjienës personale, Lëndët e drurit për djegie. /2LONLINE/