Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka paraqitur për aprovim Projektligjin për Prokurorinë e Shtetit si dhe Projektligjin për Prokurorinë Speciale.
Para kabinetit qeveritar, ministrja Haxhiu ka folur për rëndësinë e avancimit të mëtejmë të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial në vend. Ajo tha se hartimit dhe finalizimit të këtyre projektligjeve i kanë paraprirë një varg takimesh e diskutimesh në koordinim dhe bashkëpunim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtar.
Sa i përket Projektligjit për Prokurorinë e Shtetit, ministrja Haxhiu ka përmendur disa çështje më të rëndësishme të cilat i trajton ky Projektligj, përfshirë fuqizimin e kritereve për Kryeprokuror të Shtetit dhe Kryeprokurorë të Prokurorive, qartësimi i kompetencave të Kryeprokurorit të Shtetit mbi Prokuroritë në nivel më të ulët, rregullimi i statusit të prokurorëve fillestar, vendosja si kategori ligjore edhe zëvendës-Kryeprokurorin e Shtetit dhe zëvendës-kryeprokurorët e prokurorive për të mundësuar funksionim sa më efikas të Prokurorit të Shtetit.
Ministrja Haxhiu shtoi se me këtë Projektligj po ashtu rregullohet edhe funksionimi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Ministrja Haxhiu derisa ka prezantuar edhe Projektligjin për Prokurorinë Speciale, ka theksuar çështjet kryesore të cilat i trajton ky Projektligj, përmes së cilit, tha ajo, është bërë rishikimi dhe qartësimi i kompetencave të veçanta të Prokurorisë Speciale. Të njëjtës po ashtu i është përcaktuar edhe kompetenca plotësuese, ku përpos që parashihet si kriter dënimi me mbi 10 vite burgim duhet të plotësohen edhe rrethanat tjera të përcaktuara me ligj si dhe është rregulluar bashkëpunimi i Prokurorisë Speciale me institucionet tjera e veçanërisht me Policinë e Kosovës.
Aprovimi i këtyre projektligjeve, tha Haxhiu, është tejet me rëndësi në avancimin e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit prokurorial, luftimit të kriminalitetit në vend dhe sundimit të ligjit në përgjithësi. /2LONLINE/