Miqësorja e Kosovës me Gjibraltarin pritet t’i shërbejë së tepërmi trajnerit Bernard Challandes dhe Kosovës para sfidave vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”.
Miqësorja me një prej përfaqësueseve më të dobëta në Evropë, që luhet më 10 tetor në Prishtinë, mund të shërbejë për të provuar skema të ndryshme për ndeshjen eliminatore të pas katër ditëve ndaj Malit të Zi, po në Prishtinë, por edhe për t’u dhënë rastin lojtarëve që deri më tash nuk e kanë pasur.
E Challandes ka në përbërje shumë lojtarë që i ka shfrytëzuar pak ose aspak, duke nisur me kapitenin Samir Ujkani, që nuk qëndron në portën e Kosovës që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Poashtu edhe portierin e tretë që ende nuk ka debutuar për Kosovën dhe disa lojtarë të rinj të ardhur tek ekipi.
Ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, thotë se miqësorja me Gjibraltarin do t’u shërbejë “dardanëve” në shumë aspekte, përfshirë këtu edhe aktivizimin e lojtarëve me minutazhë të vogël.