Minoritetet ende besojnë se do ta arrijnë qëllimin e tyre dhe t’i sigurojnë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës edhe për një mandat.Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se njëherë do të shfrytëzohen të gjitha mjetet demokratike
Përfaqësuesit e pakicave kanë deklaruar se përsëri do ta fillojnë një cikël takimesh me gjithë faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë për ta arsyetuar kërkesën e tyre. Sipas tyre, ndikimi i minoriteteve do të zvogëlohet nëse nuk do t’u vazhdohen ulëset edhe për një mandat.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq,që vjen nga komuniteti serb, ka vlerësuar se vazhdimi i vendeve të rezervuara është e domosdoshme për të gjitha aspektet e jetës politike kosovare, jo vetëm për komunitetet.
“Ne ende do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të arritur një gjë të tillë. Ne prapë do t’i vizitojmë të gjitha instancat relevante vendore dhe ndërkombëtare. Pra, nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona, sepse po konsiderojmë se kjo është e domosdoshme për institucionet e Kosovës”, ka thënë Rashiq, shkruan Epoka e Re.
Ai ka sqaruar se për të arritur të drejtën e tyre do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike. Sipas tij, tani për tani nuk e kanë opsion braktisjen e institucioneve, por nëse nuk do ta arrijnë synimin e tyre do të mblidhen të gjithë përfaqësuesit e pakica dhe do të diskutojnë për vendimet e tyre.
“Kam thënë një prej alternativave, nëse nuk arrijmë synimin tonë për vendet e rezervuara, mund të jetë edhe braktisja e institucioneve. Pra, nuk po them se do t’i braktisim institucionet, por pas shfrytëzimit të të gjitha të drejtave tona demokratike norma që do të diskutojmë se çka do të ndodhë në të ardhmen nëse nuk do të mund t’i sigurojmë vendet e rezervuara, sepse nëse nuk na vazhdohen vendet e rezervuara ndikimi i minoriteteve do të jetë më i ulët dhe nuk do të jetë në nivelin e duhur”, ka thënë Rashiq.
Edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, i cili vjen nga komuniteti turk, mendon në të njëjtën mënyrë Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se nuk janë dorëzuar sa u përket kërkesës së tyre për ulëset e rezervuara. Sipas tij, ky ka qenë një premtim për minoritetet dhe se me një vullnet politik mund të realizohet. “Ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë vendet e rezervuara së paku edhe për një mandat. Ky ka qenë një premtim. Besojmë se me një vullnet politik kjo çështje mund të realizohet”, ka thënë Jagxhillar.