Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot u prit në takim në objektin e ri të shkollës së arteve pamore “Adem Kastrati” nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selvete Sylejmani si dhe nga mësimdhënësit dhe drejtorët e Institucioneve Edukativo Arsimore të komunës së Gjilanit.
Kryetari Hyseni, pasi falënderoi ministren Nagavci për vizitën, ka thënë se pas skanimit të gjendjes në sektorin e arsimit, kanë përpiluar një program në bazë të këtyre kërkesave.
“Pavarësisht kësaj, pa bashkëpunimin e ngushtë me mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, pa bashkëpunimin tonë si qeverisje komunale me MASHTín, ndryshimet e nevojshme në arsim por edhe për plotësimin e nevojave, janë të pamundura. Ky takim sot, i inicuar edhe nga ministrja Nagavci, i shërben po kësaj kauze – përgatitjet, nevojat dhe një lloj kontakti i drejtpërdrejt me mësimdhënësit, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë ta ndryshojmë gjendjen e arsimit në Kosovë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pasi vlerësoi lartë punën e mësimdhënësve, tha se qëllimi i takimeve që po zhvillojnë në komunat e Kosovës është që të flasin bashkë me mësuesit mbi atë që po bënë MASHT-i për fillimin e suksesshëm të vitit shkollor.
“Përkundër çfarëdo investimi që mund të bëhet, qoftë nga niveli qëndror apo ai lokal, jam e bindur që janë mësuesit, arsimtarët e profesorët ata që e kanë përgjegjësinë dhe barrën më të madhe në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe me suksesin e nxënësve në përgjigjësi. Ky është edhe qëllimi i këtyre takimeve që po zhvillojmë në të gjitha komunat dhe të flasim për atë që po bëjmë ne si MASHT, për politikat e reja dhe që të fillojmë me sukses vitin e ri shkollor”, ka thënë ministrja Nagavci.
Ministrja Nagavci dëgjoi kërkesat e shqetësimet e tyre që përfshinin problemin me norma të mësimdhënësve, pagesat e kujdestarisë, nevojën për numër më të madh të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, për profile të reja profesionale, si dhe çështje të tjera të rëndësishme.
Ministrja Nagavci shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim për ngritjen e cilësisë dhe zgjidhjen e problemeve në arsim, përkrahjen e kërkesave që erdhën nga ky takim, e poashtu theksoi se nga qeveria ky vit është shpallur si vit i personave me nevoja të veçanta, ku këtë vit janë angazhuar 100 asistentë, ndërsa në vitin vijues pritet të angazhohen edhe 300 asistentë të tjerë, për të mbuluar kërkesat në nivel vendi.
Në fund, Ministrja Nagavci premtoi se ky nuk do të jetë takimi i vetëm me mësimdhënës, dhe se çështjet të cilat u dakorduan sot se do kenë prioritet, do të mbeten si të tilla deri në realizimin e tyre.
Drejtoresha e DKA-së, Selvete Sylejmani, ka thënë se nevojat për arsim janë shumë të mëdha, për të shtuar se duke e pasur parasysh këtë fakt, atëherë nevoja për një zingjir të përbashkët shkollë -Drejtori e Arsimit – Komunë – Ministri, është shumë e rëndësishme.
Poashtu nga drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, zonja Selvete Sylejmani, u paraqitën profilet e reja në shkollat profesionale për vitin shkollor 2022/23, si dhe profilet të cilat priten të fillojnë nga viti shkollor 2023/24 në shkollat profesionale të komunës së Gjilanit. /2LONLINE/