Sot, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në konferencën për media, së bashku me prof. Iset Morinën, prezantoi fillimin e punës për hartimin e Kodit Civil.
Ministrja Hoxha deklaroi se Ministria e Drejtësisë, prioritet të saj ka kodifikimin e të drejtës civile. Kodi Civil luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi funksional të marrëdhënieve të detyrimeve, të drejtave sendore, pronësisë, si dhe të drejtës familjare dhe trashëgimore.
“Sot, në Kosovë, ekziston një realitet ligjor kompleks dhe shpeshherë problematik për sa i përket zbatimit dhe interpretimit, ku në këtë situatë ka ndikuar nevoja e vazhdueshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve në funksion të harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian”, theksoi Ministrja Hoxha.
Më tej, Ministrja Hoxha, theksoi se Ministria e Drejtësisë është e vetëdijshme se angazhimi në hartimin e këtij kodi është projekt ambicioz, çdo vendim kërkon ekspertizë në këtë fushë. Çfarëdo qasje dhe vendimi në këtë fazë, përveç rregullimit të raporteve aktuale duhet të jetë e përshtatshme edhe për zhvillimet shoqërore në të ardhmen.
Me qëllim të përcaktimit të një sistemi ligjor, Ministria e Drejtësisë pas shqyrtimit të kujdesshëm, si referencë ka vendosur që Kodi Civil të ndjekë modelin gjerman.
“Vendimi që të ndiqet modeli gjerman është rrjedhojë e ngjashmërisë në qasjen ligjore, metodologjinë dhe traditën ligjore dhe besimin se modeli gjerman i përshtatet më mirë nevojave të Kosovës. Duke ndjekur këtë model, besojmë se do të sigurojmë përputhshmëri me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, është shprehur Ministrja Hoxha.
Pavarësisht këtij vendimi, znj. Hoxha, po ashtu theksoi se Ministria e Drejtësisë do të sigurohet se ky model do të përdoret si referencë, ndërsa përmbajtja e tij do të përshtatet me kornizën ligjore, institucionale, dhe rrethanat shoqërore-juridike në vend.
Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha theksoi se procesi i kodifikimit të së drejtës civile është një proces evolutiv dhe si i tillë kërkon dhe mirëpret kontributin e të gjitha grupeve të interesit.
“Unë, sot, bëj thirrje publike që grupet e interesit të përcjellin këtë punë dhe të ofrojnë kontributin e tyre. Ministria e Drejtësisë synon të ketë një konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesit në vend”, deklaroi ministrja Hoxha.