Sot, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në “Lansimin e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Në lansimin e këtij programi morën pjesë, Ambasador i SHBA në Kosovë, z. Greg Delawie, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Z. Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe Kryesuesesja e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Znj. Nesrin Lushta.
Në fjalimin e saj, para të pranishmëve ministrja Hoxha tha, “puna dhe procesi për kompensim të viktimave të krimit, ka filluar vite më parë, ku Ministria e Drejtësisë, në Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016, kishte paraparë që të rregullohet kjo çështje”.
Për rregullimin e kësaj çështje, Ministria e Drejtësisë ka vepruar në pajtim me mandatin e përcaktuar më legjislacionin në fuqi, fillimisht duke analizuar me hollësi çështjen e kompensimit të viktimave të krimit dhe me pas ka hartuar dhe miratuar Koncept Dokumentin, nga i cili ka rrjedhë Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili është miratuar në vitin 2015.
“Programi të cilin po e lansojmë sot, ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: vrasja; trafikimi me njerëz; dhunimi; keqpërdorimi seksual i fëmijëve; si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, tha ministrja Hoxha.
Për fillimin e këtij procesi, Ministrja Hoxha tha, “jam shumë e lumtur që arritëm ta fillojmë këtë proces, jetësimi i këtij programi ka qenë njëri nga përkushtimet e mija si Ministre e Drejtësisë, po ashtu është jetësuar falë kontributit të Ambasadës së Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përfaqësuesit e të cilës dua t’i falënderoj përzemërsisht për mbështetjen në këtë fushë, në përgjithësi për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Të flasësh për viktimat e krimit, sigurisht se nuk bën pjesë në temat e lehta. Kjo çështje bëhet edhe më e vështirë duke pasur parasysh faktin se vuajtjet e viktimave të krimit na prekin të gjithë neve si përgjegjës të institucioneve që udhëheqim, por para së gjithash si qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha Znj Hoxha.
Ministrja Hoxha, iu drejtua qytetarëve të Republikës së Kosovës duke u bërë thirrje të gjithëve që të ngritin zërin kundër krimit, kundër të keqes dhe të mos kenë frikë. Zëri i viktimave të krimit le të jetë zëri i të gjithë neve për drejtësi dhe barazi, për vlerat kundër të këqijave, për paqen dhe barazinë kundër krimit dhe padrejtësive.
Në fund të fjalimit të saj, ministrja Hoxha i falënderoi të pranishmit dhe njëkohësit i inkurajoi viktimat e veprave penale, “ e drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim nga programi i kompensimit të viktimave po fillon, andaj inkurajoj viktimat e veprave penale të cekura më lartë për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor me aktgjykim të plotfuqishëm nga 30 qershori i vitit 2016, t’i drejtoheni komisionit për kompensim të viktimave”, ndërsa nga anëtarët e Komisionit kërkoi që të kenë parasysh se duke i respektuar viktimat e krimit ne respektojmë vlerat njerëzore të pamohueshme për të cilat shoqëria jonë nuk ka bërë dhe asnjëherë nuk do të bëjë kompromise.